2010-06-21 17:45:43

Akoma të vdekur në Irak: atentate kundër aktiviteteve financiare


(21.06.2010 RV)Nuk ndalet vala e dhunës kundër institucioneve dhe aktiviteteve financiare në Irak. Dje, një atentat i dyfishtë shkaktoi vdekjen e mëse 30 vetëve. Nuk janë vjedhur para, prandaj, qëllimi është dëmtimi sa më i madh i ndërtesave dhe i veprimtarisë së tyre. Sot, një kamikaze vrau 8 vetë në veri të vendit, ndërsa një javë më parë u sulmua Banka Qendrore në Bagdad. Mbi situatën irakiane, të dëgjojmë pedagogun e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Milanos, Alesandro Kolombo:RealAudioMP3
Është një moment natyrisht shumë delikat, për të cilin kishte paralajmërime prej muajsh. Të paktën dy, janë arsyet që e bëjnë të ndërlikuar procesin e tranzicionit në Irak. Nga njëra anë, ekziston një amulli politike, rezultat i zgjedhjeve të disa javëve përpara, nga të cilat akoma nuk ka dalë një qeveri, madje marrëdhëniet ndërmjet dy blloqeve kryesore janë ashpërsuar. Nga ana tjetër, po afrohet dita e tërheqjes amerikane nga vendi, megjithëse nuk do të jetë largim i përgjithshëm. Këto dy gjëra e bëjnë të brishtë procesin e tranzicionit, duke u hapur rrugën përpjekjeve për rritjen e tensionit.







All the contents on this site are copyrighted ©.