2010-06-18 18:46:16

Të dielën Benedikti XVI do të shugurojë 14 diakonë, të thirrur për të jetuar sfidën e madhe të fesë.


(18.06.2010 RV)Të dielën e ardhshme, në orën 9.30, Benedikti XVI do të kryesojë, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Meshën Shenjte, gjatë së cilës do t’u japë shugurimin meshtarak 14 diakonëve të dioqezës së Romës. Janë të gjithë nxënës të Kolegjit ‘Nëna e Shëlbuesit”, pranë Seminarit të Madh Romak dhe të Kolegjit Kapranika. Vetëm njëri i përket Urdhërit Teutonik. Dhjetë janë italianë, katër të tjerë, nga India, Japonia, Kili e Gjermania. Për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, që duke u kremtuar në përfundim të Vitit Meshtarak, i shton radhët e Kishës së Romës me 14 meshtarë të rinj, reflekton, në mikrofonin tonë, imzot Gjovani Tani, Rektor i Seminarit të Madh Romak:RealAudioMP3

Përgjigje: - Duke qenë në përfundim të këtij Viti Meshtarak, mund të flasim për shumë veprimtari, në të cilat meshtaria ka qenë në krye të vendit, gjatë reflektimeve tona. Këtë vit u theksua në mënyrë të veçantë roli i meshtarit. Në seminarin tonë zgjodhëm si moto të kremtimeve, një fjalë ari, nga fjalori tejet i pasur në këtë drejtim, i Famullitarit të Arsit, Shën Gjon Maria Vianejt: “Meshtaria është dashuria e Zemrës së Krishtit”. Në meshën përfundimtare, Papa foli për madhështinë dhe për bukurinë e meshtarisë. E fjala e Papës ishte këto ditë objekt reflektimi për të rinjtë, që përgatiten të shugurohen, sepse kardinali Valini, që ua drejton reflektimin e ushtrimeve shpirtërore, deshi të vinte në qendër të vëmendjes pikërisht këtë homeli të Papës.

Pyetje: - Katër nga diakonët, që do të shugurohen të dielën nga Papa, janë përgatitur në seminarin tuaj. Do të dëshironim, prandaj, të mësojmë nga ju si e presin meshtarët e ardhshëm këtë ngjarje të jashtëzakonshme në jetën e tyre e si e jeton mbarë bashkësia e seminarit?
 
Përgjigje: - Është një ngjarje, që përsëritet shumë herë gjatë vitit. Jemi në stinën e shugurimeve. Të dielën do të jetohet në Romë, por tashmë është jetuar disa herë në vise të ndryshme të Italisë e të botës, sepse ne kemi edhe nxënës nga mbarë bota. Është gjithnjë festë, kremtim i ditës së ëndërruar që në çastin, kur kandidati ulet për herë të parë në bankat e seminarit, kur nis të formohet për rrugën e mrekullueshme, por edhe plot përgjegjësi, të meshtarisë. Kemi, pastaj edhe një aspekt tejet të rëndësishëm për ardhmërinë e këtyre të rinjve: është miqësia e solidariteti ndërmjet tyre, që ndjehen, pastaj, në mënyra të ndryshme e në rrethana të ndryshme, gjatë gjithë jetës meshtarake. Miqësia është një nga elementet e fuqishme, që e mbështesin fort jetën meshtarake.







All the contents on this site are copyrighted ©.