2010-06-17 16:04:25

Liria dhe rregullat në jetë e në sport: në një tekst të vitit 1985, reflektimi i kardinalit Jozef Racinger mbi Kampionatin Botëror të Futbollit


(17.06.2010 RV)“Fenomeni i një bote entuziaste për futbollin mund të na ofrojë diçka më tepër se argëtimi”: kështu nënvizonte, në vitin 1985, kardinali i atëhershëm Jozef Racingër, në një tekst, shkruar pikërisht për ndikimin e ngjarjeve si Kampionati Botëror. Papa i ardhshëm Benedikti XVI shkruante se “futbolli na mëson ndeshjen e pastër, në të cilën rregulla e përbashkët, së cilës i nënshtrohet loja, vazhdon të na bashkojë e të na lidhë, edhe në pozicionin e kundërshtarit”. Liria e lidhur me rregullat është mësimi më i çmuar që mund të marrim nga loja e futbollit. 25 vjet më vonë, reflektimet e prefektit të atëhershëm të Kongregatës për Doktrinën e Fesë mbeten mëse aktuale gjatë këtyre ditëve me emocione për Kampionatin Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut. Të dëgjojmë komentin e drejtorit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane për baritorinë e sportit, don Mario Lusek:
Papa e pati titulluar këtë tekst “Të kërkojmë ç’është lart” e sigurisht që ky është një nga objektivat e futbollit, të shohë përtej ngjarjes në vetvete, por sidomos të ripërvetësojë atë përmasë loje, që e bën metaforë të jetës. Është gati një mënyrë për t’u rritur, sepse pikërisht gjatë ushtrimit të një sporti, e sidomos gjatë futbollit, mendojmë më shumë si të përgatitemi, si të stërvitemi, si të apasionohemi, duke u lodhur jashtëzakonisht për t’u bërë “dikushi”. Ekziston kjo liri nga njëra anë, por edhe rregullat nga ana tjetër, të cilat na detyrojnë të sillemi me normat e asaj disipline sportive.
Në reflektimin e tij, kardinali i atëhershëm Racinger theksonte se suksesi i individit është i lidhur me suksesin e të gjithë lojtarëve. Një lavdërim gati teologjik për lojën e skuadrës….
Për lojën e skuadrës, ashtu është. Kjo është karakteristika, që ne duam të krijojmë edhe në marrëdhëniet edukative me të rinjtë: loja e skuadrës, sepse në lojën e jetës duhet të jemi në një skuadër. Secili ka rolin e vet. Është trajneri, që ka një funksion edukatori, e kështu në jetë, është familja, janë prindërit, janë mësuesit, janë ipeshkvijtë, janë meshtarët. Sporti bëhet kështu vërtet metaforë e shoqërimit drejt suksesit. Sukses në jetë nuk do të thotë vetëm të arrish i pari në profesion, ose diku tjetër, por do të thotë të realizosh vetveten në thellësi.
Për herë të parë Kampionati Botëror i Futbollit bëhet në Afrikë, duke i dhënë mundësi gjithë botës të shohë një imazh të ndryshëm, pozitiv të kontinentit…
Sigurisht që po. Afrika e Jugut është një laborator për krejt Afrikën, ku janë eksperimentuar demokracia, zhvillimi, promovimi njerëzor… Nëse sporti kuptohet e administrohet drejt, mund të bëhet edhe faktor zhvillimi shoqëror, përmes entuziazmit dhe pasionit për të qenë pak në qendër të botës, në sytë e saj. E kur të tjerët të shohin, edhe të ndihmojnë, të shoqërojnë në rrugën e daljes nga varfëria, nga nënzhvillimi e nga çdo gjë tjetër, që e bën të përvujtë kontinentin afrikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.