2010-06-17 16:48:30

Bosnje: Bashkësia myslimane kundër ndërtimit të monumentit kushtuar Papës Gjon Pali II.


(17.06.2010 RV)Sipas gazetës boshnjake “Dnevni List”, me qendër në Mostar, bashkësia myslimane e Sarajevës është kundër ndërtimit të një monumenti kushtuar Papës Vojtila, që është në plan për t’i ngritur përpara katedrales së kryeqytetit të Bosnjës. Sipas gazetës në fjalë, përfaqësuesit myslimanë të pranishëm në një debat zhvilluar të hënën në bashkinë e Sarajevës janë shprehur kundër monumentit për Gjon Palin II. Madje njëri prej tyre e quajti këtë nismë “provokim”, ndërsa një tjetër kërcënoi se nëse monumenti i papës polak do të ndërtohet, atëherë do ta shkatërrojnë.
“Nuk kuptohet se si një monument në kujtim të Papës Gjon Pali II mund t’i japë bezdi ndokujt, po të kesh parasysh faktin se çka bërë ai për kishën katolike në Bosnje-Hercegovinë, por edhe për krejt popullatën e vendit.”- tha mes tjerash Franjo Topiq, kryetar i shoqatës kulturore të kroatëve të Bosnjës “Napredak”. Topiq, nënvizoi gjithashtu se gjatë luftës civile, Gjon Pali II ka folur për Bosnjën 263 herë në publik. “Po këtu, është fjala për një sulm të vërtetë kundër kishës katolike, dhe në veçanti kundër bashkëjetesës paqësore ndërmjet etnive në Sarajevë.” vuri në dukje Topiq, i cili nga ana tjetër shtoi se shumica e banorëve të Sarajevës janë pro ngritjes së këtij monumenti.
Papa Vojtila e ka vizituar Bosnjën në vitin 1997, dy vjet pas përfundimit të luftës civile që pati shkaktuar 100 mijë viktima dhe miliona të shpërngulur.
Për monumentin në fjalë autoritetet vendore të Sarajevës ka dhënë autorizimin e kërkuar që në vitin 2007.








All the contents on this site are copyrighted ©.