2010-06-16 16:38:00

Raporti OKB-së flet për 43,3 milionë njerëz në ikje për shkak të konflikteve e persekutimeve


Raporti i Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët: 43,3 milionë njerëz të shpërngulur për shkak të konflikteve dhe persekutimeve. Ka rënie të prirjes për njohjen e të drejtave të refugjatëve.
Në fund të 2009, 43 milionë njerëz u detyruan të braktisin shtëpitë dhe trojet e veta për shkak të luftërave dhe të persekutimeve. Numri i përgjithshëm i refugjatëve është më shumë se 15 milionë. Pikërisht këto të dhëna vë në dukje Raporti për vitin 2010 i Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.
Dokumenti që posa është publikuar, në pritje të Ditës Botërore të Refugjatëve që do të kremtohet më 20 qershorin e ardhshëm, vë në pah dy prirje shqetësuese: në 2009 numri i personave të detyruar të ikin nga vendlindja ishte më i lartë se ai i gjysmës së viteve ’90 dhe ai i refugjatëve të rikthyer vullnetarisht në atdhe ishte më i ulti i njëzet viteve të fundit.
Ajo çka e përkeqëson këtë situatë është fakti se nuk ka shenja për zgjidhjen e konflikteve ekzistuese si për shembull në Afganistan, Somali dhe në Republikën Demokratike të Kongos. Konflikte të tjera që duket se ishin afër zgjidhjes paqësore, si ato në Sudan dhe në Irak, janë ende shqetësuese.
Pasojat janë alarmuese: në 2009 refugjatët që u kthyen vullnetarisht në shtëpitë e tyre ishin 251 mijë. Mesatarja vjetore në dhjetëvjeçarin e fundit, përkundrazi, ishte rreth 1 milion të riatdhesuar. Tjetër pastaj, pjesa më e madhe e refugjatëve gjenden në azil që prej pesë a gjashtë vitesh. Janë, në veçanti, pesë milionë e gjysmë refugjatët në patronazh të Komisariatit të Lartë në gjendje azili të tejzgjatur.
Është rritur gati me 4% numri i të shpërngulurve apo i personave që ikin për shkak të konflikteve të brendshme në vendet e tyre. Kjo rritje e përqindjes ka të bëjë kryesisht me zgjatjen e konflikteve në Republikën Demokratike të Kongos, në Pakistan dhe në Somali. Për sa i përket BE-ian, Gjermania ka përbujtur 600 mijë refugjatë dhe Mbretëria e Bashkuar më shumë se 270 mijë.
Në Itali shifra është më e ultë: refugjatët janë vetëm 55 mijë. Raporti nënvizon gjithashtu se përgjysmimi në numër i kërkesave për azil në Itali, gjatë 2009-ës, në krahasim me 2008, lidhet me politikat shtrënguese që po zbatojnë në Kanalin e Sicilisë autoritetet italiane dhe ato libike. “Kjo rënie e ndjeshme në kërkesa për azil, - thuhet në raport, - tregon sesi riatdhesimet, në vend që të luftojnë imigracionin e parregullt kanë ndikuar ndjeshëm tek mosshfrytëzimi i së drejtës për azil në Itali.”
“Mikpritja dhe jo mbyllja e derës i përgjigjet parimeve themelore të së drejtës njerëzore.” Këtë theksoi në prag të Ditës Botërore të Refugjatëve për 2010, sekretari i Këshillit Papnor të Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët, kryeipeshkvi Agostino Marketo. Prelati në mikrofonin e radios sonë u ndal pikërisht tek situata dramatike e refugjatëve:

Përgjigje: Nëse i shikojmë numrat, sigurisht, ata janë tronditës. Madje do të thosha se ka edhe pak prirje për ta reduktuar njohjen e të drejtave, në praktikë, të refugjatëve dhe të azilkërkuesve. Përsa i përket Evropës kemi një gjendje që ndryshon herë pas here. Të paktën ekziston fondi evropian për refugjatët. Në një rezolutë të fundit të Parlamentit Evropian, shprehet dëshira për t’i ndihmuar dhe për t’i financuar vendet që presin refugjatët, ndonëse vendet që e kanë përqafuar këtë nismë janë vetëm 12.
Është shqetësues fakti se dyndjet e emigrantëve janë të ndryshme për nga përbërja. Domethënë nuk ka vetëm emigrantë për arsye ekonomike, por ka edhe emigrantë të detyruar nga shkaqe të tjera. Sigurisht që kjo i krijon vështirësi vendeve që duhet t’i presin, por na krijon vështirësi edhe neve. Edhe financimet nuk është e thjeshtë që të arrijnë synimin e tyre.
Fondet që kemi nuk na lejojnë pastaj që t’i ndihmojmë të gjithë refugjatët dhe të ikurit, të cilët në Evropë arrijnë në gjysmë milioni. Kemi pra disa aspekte që përmirësohen, por ka edhe aspekte tjera që vazhdojnë të përkeqësohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.