Obama takohet me krerët e British Petroleum: dëmshpërblim prej 20 miliard dollarësh
(16.06.2010 RV)Sot, presidenti amerikan Barak Obama u takua me krerët e kolosit
të naftës British Petroleum, përgjegjës për dëmet e shkaktuara në Gjirin e Meksikës
nga shpërthimi i një pusi në det. Llogaritet që çdo ditë, rreth 60 mijë fuçi nafte
derdhen nga pusi i hapur, duke shkaktuar ndotjen e shkatërrimin e ambientit, që vetë
Obama e krahasoi dje me terrorizmin e Al Kaidës. British Petroleum duhet të paguajë
të gjitha dëmet, përmes një fondi prej 20 miliard dollarësh. Ky qe rezultati i mbledhjes.
Pavarësisht nga kjo, popullariteti i tij është në rënie. Të dëgjojmë opinionin
e përgjegjësit për mediat në Këshillin Itali-SHBA, gazetarin Denis Redmont: Amerikanët
e kuptojnë fort mirë se është e nevojshme të mobilizohen për të përballuar një katastrofë
ambientale, që prek të gjithë. Prandaj, nëse Obama, të cilit nuk i pëlqen të ekzagjerojë,
përdor si krahasim Al Kaidën, do të thotë se dëshiron të përfitojë nga kriza për t’u
mësuar amerikanëve se duhet të jetojnë me energji alternative, më të pastra. Është
shumë interesante të vërehet se si presidenti i kërkon Kongresit të miratojë një seri
ligjesh, që e përmirësojnë gjendjen e energjisë dhe të ambientit, ndërsa në fjalimin
para kombit nuk e shqiptoi asnjëherë fjalën “karbon” e as fjalën “klimë”. Ai ia la
portën hapur bisedimeve për ligje, që të vendosin një kufi për emetimet e dioksidit
të karbonit. Si mendoni ju, a do ta paguajë dëmshpërblimin firma British Petroleum? Kemi
parë se shumë firma, pas një katastrofe ambientale serioze, kanë marrë fund. PanAm
nuk rezistoi pas problemeve në Lokerbit, Dou Kemikëll ndryshoi identitet pas Bopalit
etj.. Njëlloj, British Petroleum si e tillë mund t’i ketë ditët e numëruara. Por është
një kolos kaq i madh, saqë do të rilindë si firmë tjetër e do të vazhdojë të hapë
puse nafte, për të cilat, tani për tani, bota ka shumë nevojë.