2010-06-16 16:38:34

Në OKB, simpozium mbi përshpirtërinë e veprave të Mikelanxhelos


(16.06.2010 RV)Në selinë e OKB-së në Nju Jork u mbajt këto ditë simpoziumi me titull “Një pasdite me Mikelanxhelon, shkëlqimi i Kapelës Sikstine dhe i Kapelës Paoline”. Takimi filloi nga reflektimi mbi Kapelën Sikstine. Mikelanxhelo Buonarroti, i udhëhequr nga fjalët e Librit të Zanafillës e duke përdorur aftësitë e tij të jashtëzakonshme artistike, ktheu në forma të dukshme bukurinë e madhështinë e padukshme të Zotit. Pikërisht përmasa trashendentale e veprave të piktorit e skulptorit të madh italian ishin filli, që përshkoi krejt pasditen, siç nënvizon drejtori i seksionit amerikan të “Patrons of the Arts” në Muzetë e Vatikanit, imzot Terenc Hogan:
“Në diskutimin në Kombet e Bashkuara mbi Mikelanxhelon, qe e rëndësishme ideja e përshpirtërisë së njerëzimit në art”.
Në simpoziumin, i cili bashkoi botën e diplomacisë me atë të artit, morën pjesë eksponentë të feve të ndryshme:
“Myslimanë, hebrenj, të krishterë: arti është mënyrë për të bashkuar gjithë botën”.
Reflektimi mbi artin e Mikelanxhelos vazhdoi pastaj me përshkrimin e një thesari tjetër të Muzeve të Vatikanit, me Kapelën Paoline. U paraqitën studime historike mbi jetën dhe veprat e Buonarrotit. Por pse u organizua një simpozium i tillë në OKB? Sërish imzot Terenc Hogan:
“U organizua një simpozium mbi këtë artist, sepse arti i Mikelaxhelos është shumë i rëndësishëm për të gjithë: është burim frymëzimi për shpirtin e njerëzve. Arti, për vendet e Kombeve të Bashkuara, në veçanti, është një rrugë për interpretimin e paqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.