2010-06-16 16:38:14

L’Osservatore Romano, pohon se 90% e viktimave të terrorizmit xhihadist janë myslimanë


(16.06.2010 RV)Në kundërshtim me thirrjet për luftë të shenjtë kundër armikut perëndimor, më se 90% e viktimave të terrorizmit xhihadist, që nga viti 2001 e deri më sot, janë myslimanë. E pohon këtë gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” përmes një artikulli, botuar në faqen e parë, kushtuar Raportit mbi terrorizmin ndërkombëtar, paraqitur dje në Romë nga Fondacioni Icsa (Intelligence culture and strategic analysis).
Në se kemi parasysh – vijon “L’Osservatore Romano” – vetëm atentatet me më shumë se 15 viktima, duke nisur nga viti 1993 e deri më sot, numri i të vrarëve gjatë sulmeve terroriste, arrin në 25. 751. Periudha, gjatë së cilës numri i të vdekurve ishte më i madh (5.570) mbetet ajo ndërmjet 11 shtatorit 2006 e 10 shtatorit 2007, por fenomeni shkatrrimtar, duke pasur gjithnjë parasysh të njëjtin tip sulmesh, është bërë përherë e më i shpeshtë gjatë nëntë muajve të fundit, posaçërisht në Pakistan (1. 129 viktima); në Irak (1. 032); në Indi (238) e në Afganistan (226). Në këtë periudhë kanë humbur jetën më se 2. 817 njerëz.
E përditshmja vatikanase citon drejtpërdrejt edhe Raportin ku, ndërmjet tjerash, shkruhet: “Nga disa burime të besueshme mësojmë se numri i sulmeve terroriste në shkallë globale gjatë trevjeçarit 2007-2009 është në rënie të ndjeshme. Si mund të shpjegohet, atëhere, që numri i viktimave të regjistruara në të njëjtën kohë, mbetet mjaft i lartë (3.061 ndërmjet 11 shtatorit 2007 e 10 shtatorit 2008 e 2.582 ndërmjet 11 shtatorit 2008 e 10 shtatorit 2009)?
Kjo e dhënë ndoshta mund të shpjegohet me përsosjen e teknikave të ekzekutimit: vërehen gjithnjë më shumë atentate me lëndë shpërthyese të komanduara nga larg. Përveç kësaj, sipas Raportit, analiza e terrorizmit me burim xhihadist nuk e përjashton mundësinë e sulmeve jo të rëndomta, kundër popullsive civile. Kujtojmë, për shembull, bombat artizanale. E për të dëshmuar se rreziku i terrorizmit mbetet alarmant, përfundon "L’Osservatore Romano”, kujtojmë kërcënimet e Al Kaedës kundër SHBA, përmes një audioje të kreut të saj, Osama Bin Laden, për të cilën nuk ka pasur kurrfarë komenti nga ana e shërbimeve sekrete amerikane.







All the contents on this site are copyrighted ©.