2010-06-16 17:02:43

Benedikti XVI në takimin dioqezan të Romës: Eukaristia dhe dashuria e krishterë, për të ndryshuar mendësinë e njerëzve e të shoqërisë.


(16.06.2010 RV)Vënia e Eukaristisë në qendër të jetës dhe dëshmimi i dashurisë së krishterë, ishin mendimet kryesore, që shprehu mbrëmë Benedikti XVI, duke hapur, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, punimet e takimit dioqezan, në përfundim të vitit baritor. Tema e takimit, që u mbyll sot, ishte: “U hapën sytë e tyre, e njohën dhe e kumtuan! Eukaristia e së dielës dhe dëshmimi i dashurisë së krishterë”. Dy aspekte themelore, këto, në të cilat dioqeza u thellua gjatë gjithë vitit të sapopërfunduar baritor.

Eukaristia është kujtimi i vdekjes e i ringjalljes së Krishtit. Por fjala “kujtim”, që vjen nga folja hebraike ‘zakar’, nuk do të thotë kujtim i rëndomtë i një ngjarjeje të së kaluarës, por ‘kremtim’, që e bën të pranishme atë ngjarje, në mënyrë që të përsërisë forcën e saj shëlbuese . Këtë nënvizoi Papa, duke hapur takimin dioqezan të Romës. Në lashtësi, kujtoi, hyjnive u flijoheshin kafshë ose fryte të tokës; ndërsa Jezusi flijon vetveten, bëhet ajo flije, që liturgjia ofron në Meshën Shenjte. E ne të gjithë e dimë se buka e vera bëhen Korpi e Gjaku i Tij i vërtetë.
Benedikti XVI theksoi se kjo prani reale duhet të zërë vendin kryesor në punën për edukimin në fe të fëmijëve e të të rinjve, si dhe në qendrat e dëgjimit. Është e nevojshme, vijoi Papa, që në liturgji të theksohet përmasa e mbinatyrshme, ajo e Misterit, që ndriçon edhe përmasën horizontale, domethënë lidhjen e bashkimit ndërmjet atyre, të cilët i përkasin Kishës. Në të vërtetë, shpjegioi Benedikti XVI, kur mbizotëron kjo e fundmja, nuk mund të kuptohet plotësisht bukuria e misterit të kremtuar. Më pas Papa u ndal tek rëndësia që ka pjesëmarrja në Meshë:
Është shumë e rëndësishme, për ne të krishterët, të ndjekim këtë ritëm të ri të kohës, të takohemi me të Ringjallurin të dielën e kështu ta marrim me vete këtë prani, që të na shndërrojë ne e ta shndërrojë edhe kohën tonë”.
Ati i Shenjtë i ftoi meshtarët ta kremtojnë me gjithë shpirt Meshën e ta ndjejnë thellë vlerën e adhurimit eukaristik. Eukaristia është ajo, që e shndërron një grup të rëndomë, në bashkësi kishtare e duhet të jetë struktura bazë, mbi të cilën mbështetet e gjithë jeta e bashkësisë famullitare:
“I porosis të gjithë të kujdesen sa më mirë, edhe përmes grupeve të posaçme liturgjike, për përgatitjen e kremtimit të Eukaristisë, në mënyrë që të gjithë ata, të cilët marrin pjesë në Të, ta takojnë Zotin”.
Duke u ushqyer me Korpin e Tij, vijoi Papa, çlirohemi nga leqet e individualizmit e bëhemi një gjë e vetme. Kështu kapërcehen ndryshimet e profesionit, të shtresës, të kombësisë. E kështu, të gjithë e ndjejmë veten bij të të njëjtit Atë. Përmes ushqimit me Korpin e Krishtit, fitojmë edhe jetën e re në Zotin. Kështu mund të heqim dorë nga logjika e botës e të ndjekim logjikën e dhurimit pa kurrfarë interesi:
Dashuria e krishterë është në gjendje të lindë një ndryshim të vërtetë e të vazhdueshëm të shoqërisë, duke vepruar në mendjet e në zemrat e njerëzve, e kur jetohet vërtetësisht, bëhet forcë kryesore, që i jep shtytje zhvillimit të çdo njeriu e të mbarë shoqërisë”.
Roma ka nevojë për një dëshmi më të qartë e më bindëse. Prandaj Papa u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre, të cilët kujdesen për të varfërit e për të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë. Kremtimi eukaristik, nënvizoi, që nuk të shtyn t’i takosh njerëzit, atje ku jetojnë, punojnë e vuajnë, për t’u çuar dashurinë e Zotit, nuk është jetuar me thellësinë e me vërtetësinë e duhur. Ne duhet t’i ofrojmë trupat tonë si flije shpirtërore e pëlqyer nga Zoti në ato rrethana, që kërkojnë ta bëjmë të vdesë unin tonë. Në një kohë krize ekonomike e shoqërore, duhet të jemi solidarë me ata, që jetojnë në skamje. Duhet t’u çojmë të gjithëve shpresën për një të nesërme më të mirë e më të denjë për njeriun. Por natyra e dashurisë kërkon edhe flijimin e gjithë vetvetes në shërbim të Zotit e të njeriut. Prandaj Papa i nxiti të rinjtë të mos kenë frikë ta duan Krishtin në meshtari e në formimin e familjeve të krishtera, që e jetojnë dashurinë besnikërisht, deri në fund, duke i hapur rrugën jetëve të reja.

Para se të fillonte fjalimin, Papën, e përshëndeti kardinali mëkëmbës, Agostino Valini i cili, në emër të dioqezës së Romës, i shprehu afërsinë e të gjithëve për vuajtjen e këtyre muajve si dhe mirënjohjen për thirrjen ungjillore që ta luftojnë mëkatin, të keqen shpirtërore e cila, për fat të keq, theksoi, nganjëherë prek rëndë edhe njerëzit e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.