Ç’janë fondet “gjakpirëse”? Përgjigjet Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit në Gjenevë
(15.06.2010 RV)T’i jepet fund spekullimit
me të ashtuquajturat fonde “gjakpirëse”, që pasurojnë edhe më tepër vendet e pasura
e çojnë drejt mjerimit vendet e varfëra. Kjo është thirrja e Vëzhguesit të përhershëm
të Selisë së Shenjtë në selinë e OKB-së, në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi, në
sesionin e 14-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Por çfarë janë këto fonde
“gjakpirëse”? Përgjigjet vetë imzot Tomazi në mikrofonin tonë: Fondet “gjakpirëse”
janë fonde ose investime, që e marrin emrin nga fakti se u pijnë gjakun vendeve në
zhvillim. Janë fonde spekulative, përmes të cilave blihet me çmime të ulta borxhi
i vendeve në zhvillim, nga kreditorë publikë ose privatë, por sidomos nga shteti.
Pastaj, kompania që e blen këtë borxh me çmim të ulët i kërkon vendit debitor, në
mënyrë krejtësisht të paligjshme, t’i paguajë kredinë fillestare, duke e rritur kërkesën
e duke kërkuar edhe interesat, në mënyrë që kostoja fillestare të rritet shumë. Kur
vendi në fjalë nuk arrin të paguajë, sidomos vendet afrikane, këto fonde “gjakpirëse”
përpiqen ta shlyejnë kredinë, duke marrë para që vijnë nga financimet publike, ose
duke shfrytëzuar lëndët e para të vendit, si nafta e të tjera. Kështu, jo vetëm që
u kthehen në xhep të gjitha paratë e investuara, por kanë fitime të mëdha në kurriz
të këtyre vendeve. Çfarë kërkon Selia e Shenjtë? Duhen eliminuar këto
spekullime, sepse janë në dëm të vendeve më të varfëra, të cilat kanë të drejtë të
zotërojnë ç’është e nevojshme për popullin e tyre e të ndërmarrin rugën e zhvillimit.
Me fjalë të tjera, ekonomia ka pasoja shoqërore e ato duhet të merren parasysh, duhet
t’u jepet përparësi, sepse në fund të fundit, të gjithë kërkojmë të mirën e përbashkët.
E mira e njerëzve është përtej mekanizmave të fitimit. Cilat janë vendet ku
bëhen këto spekullime, në dëm të të varfërve? Në përgjithësi, janë kompani
amerikane ose evropiane, të cilat veprojnë në vendet e Afrikës, si Zambia, Kongo,
Kameruni, Sierra Leone, etj.. Borxhi i jashtëm i vendeve të varfëra është
problem për zhvillimin e tyre. Cila është thirrja e Selisë së Shenjtë në këtë drejtim? Ne
përkrahim parimin, sipas të cilit borxhi duhet paguar, por njëkohësisht, themi edhe
se popullsitë kanë të drejtë të mbijetojnë. U duhet garantuar atyre ushtrimi i të
drejtave themelore të njeriut. Në këtë kontekst, borxhi i jashtëm nuk duhet të kthehet
në një formë shtypjeje, duke bllokuar zhvillimin dhe mbijetesën. Duhet të gjejmë mënyrat
për të inkurajuar vendet debitore t’i administrojnë fondet me transparencë, të shmangin
korrupsionin, të mos bëjnë plane të dështuara që në fillim, por nga ana tjetër, edhe
vendet e pasura duhet t’i falin borxhet kur ekziston mundësia, në mënyrë që t’i lënë
këto vende të marrin frymë.