2010-06-15 15:55:58

Vatikani i kërkon OKB-së më tepër fonde për ilaçet kundër Sidës


(15.06.2010 RV)Fondet që venë në dispozicion donatorët ndërkombëtarë për të garantuar kurimin nga Sida të popullsive të varfëra nuk mjaftojnë. Kështu foli Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në selinë e OKB-së në Nju Jork, imzot Çelestino Miliore.
“Furnizuesit e Kishës Katolike në Ugandë, në Afrikën e Jugut, në Haiti dhe në Papua Guinea e Re – denoncoi prelati pengesat në luftën kundër Sidës – na thonë se donatorët ndërkombëtarë u kanë kërkuar të mos shtojnë pacientë të rinj në programet e tyre. Gjithashtu, shprehin shqetësime për reduktimin e fondeve edhe për ata që po kurohen tashmë”.
Bashkësia ndërkombëtare, theksoi imzot Miliore, ka përgjegjësi për sigurimin e asistencës shëndetësore për të gjithë. Mungesa e ilaçeve për luftën kundër Sidës do të sjellë vuajtje, jo vetëm për familjet e të sëmurëve, por do të rrisë koston shoqërore për krejt familjen njerëzore, me pasoja të rënda në ekonomi, shoqëri e shëndetësi. Vëzhguesi i Vatikanit nënvizoi se rruga më e mirë është parandalimi i sëmundjes, duke kërkuar respektin për dinjitetin njerëzor e për ligjin moral.







All the contents on this site are copyrighted ©.