Sot Kisha katolike përkujton Shën Gjermanën Kuzin, virgjër
E lindur më 1570 në një fshat pak kilometra larg Tuluzës, në një familje punëtorësh
të thjeshtë, Gjermana mbeti tërë jetën bareshë e varfër. Shëndetligë që në lindje,
me dorën e djathtë gjysmë të paralizuar, shumë shpejt u sëmurë nga skrofulla, sëmundje
që, duke u bërë kronike, i shkaktoi vuajtje gjatë tërë jetës. Pak kohë pas lindjes,
e humbi nënën. Babai u martua sërish e ajo mbeti krejt e izoluar në shtëpinë prindërore.
E çuan të kulloste grigjën. Kur u kthye për herë të parë nga kullotat, e gjeti derën
e shtëpisë të mbyllur. Që atë natë u detyrua të flinte në stallë, së bashku me bagëtitë.
Gjithë këto fatkeqësi i priti me përvujtërinë më të madhe e, në mjerimin e vet, gjente
mënyra për t’u shërbente barinjve e bareshave që endeshin tërë ditën nëpër shtigjet
e maleve, në kërkim të kullotave, së bashku me të. Falë atyre pak mësimeve që kishte
marrë nga prifti famullitar, në shpirtin e Gjermanës lulëzoi një fe e flaktë dhe një
përshpirtëri e jashtëzakonshme për Zotin e Zojën e Bekuar. Shkonte ditë për ditë në
Meshë, luste rregullisht Rruzaren shenjte dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, lutej
përherë e kudo. Prandaj banorët e Pibrakut, qytetit të saj të lindjes, nisën ta thërrisnin
“fanatikja” dhe filluan ta tallnin për shkak të fesë së bindur në Jezu Krishtin dhe
devocionin që kishte. Një ditë grigja e Gjermanës nuk u pa të dilte nga vathi. As
Gjermana nuk u pa në Kishë për Meshë. Kishte fjetur përgjithmonë në Hyjin, duke gjetur
paqen e përjetshme, të cilën në këtë tokë nuk e kishte gëzuar kurrë. Ishte data e
15 qershorit të vitit 1601. Pas vdekjes, me ndërmjetësimin e saj pranë Hyjit të
Gjithëpushtetshëm, ndodhën mrekulli të shumta, që ngjallën nderim e devocion të jashtëzakonshëm
ndër besimtarë për bareshën e thjeshtë, e cila i mbylli sytë, e harruar nga të gjithë,
por jo nga Zoti, në një stallë bagëtish. Gjermanën nisi ta nderonte gjithë Pibraku
e më pas Franca dhe mbarë bota e krishterë. Simbolike leximet liturgjike në festë
të saj, që na kujtojnë se: “Zoti i bekon ata që dhurojnë me gëzim” dhe “ Ati yt që
është në qiell, do të shpërblejë një ditë”.