2010-06-15 15:31:25

Pedofilia. Ipeshkvijtë e Evropës, për problemin dramatik: jemi me Papën.


Në takimin e kohëve të fundit të sekretarëve të përgjithshëm të konferencave ipeshkvnore, mbajtur këto ditë në Romë, të pranishmit theksuan se është tejet e nevojshme të pranohet dramaticiteti i problemit të shpërdorimeve mbi të miturit nga ana e meshtarëve, duke pohuar rëndësinë që ka përballimi i tij me seriozitetin më të madh. Është e qartë – pohohet në një notë përfundimtare të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) - se Konferencat ipeshkvnore duhet të ndjekin rrugën, në të cilën po ecën Papa, për të përballuar këtë çështje dramatike.
Të bëjnë përshtypje të thellë – shton dokumenti – masat që po marrin disa konferenca ipeshkvnore për të përballuar problemin, posaçërisht për të parandaluar rrezikun e rasteve të reja si dhe për t’i shoqëruar viktimat e familjet, që po jetojnë pasojat e këtij shpërdorimi, i cili u dënua njëzëri. E, gjatë takimit, u kujtuan edhe procedurat që duhen ndjekur, sa herë që një ipeshkëv të njoftohet për raste të reja të mundshme shpërdorimesh.
Sekretari i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, imzot Luis Ladaria Ferrer, i pranishëm në takim, theksoi se konferencat ipeshkvnore duhet të shkëmbejnë përvojën, për të siguruar kështu, përmirësimin e ndërhyrjes së Kishës në një sektor kaq delikat. Në takim u trajtua edhe tema e marrëdhënieve të Kishës me mjetet e komunikimit. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, u kujtoi ipeshkvijve të pranishëm se duhet ta kenë mirë parasysh globalizimin e informacionit, që vijon të jetë gjithnjë më i shpejtë e më sensacionalist, duke bërë ç’është e mundur që çdo deklaratë në nivel lokal, të ketë sa më shpejt jehonë ndërkombëtare. Zëdhënësi i Konferencës ipeshkvnore italiane, imzot Domeniko Pompili, vuri theksin mbi nevojën që Kisha vetë të jetë e pranishme në mjetet e reja të komunikimit.
Në këtë takim, në emër të Konferencë Ipeshkvnore të Shqipërisë, mori pjesë ipeshkvi i Sapës, imzot Lucjan Avgustini, i cili foli për aspektet e ndryshme dhe sfidat e Kishës katolike në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.