2010-06-15 15:55:32

Mesazhi i kardinalit Peter Turkson Këshillit Kombëtar të Ekonomisë dhe Punës: ekonomia të jetë gjithmonë në shërbim të njeriut.


(15.06.2010 RV)Të vihet njeriu në qendër të proceseve ekonomike. Kjo është thirrja që bëri kryetari i Këshillit Papnor “Drejtësi dhe Paqë”, kardinali Peter Turkson, në mesazhin dërguar takimit të Këshillit kombëtar të Ekonomisë dhe Punës mbi ndërmarrjet shoqërore, mbajtur dje në Romë. “Është bindje e thellë e Papës, thuhet në mesazhin e kard. Turkson, që ekonomia të jetë në shërbim të njeriut dhe të shoqërisë, në mënyrë të veçantë atëherë kur, frymëzohet nga etika e një vëllazërimi të vërtetë.” Në takim foli edhe Imzot Mario Tozo që e vuri theksin tek ana vëllazërore e ekonomisë. Sekretari i Këshillit Papnor “Drejtësi dhe Paqë” kërkoi gjithashtu edhe realizimin e një rendi të ri politik ndërkombëtar, i cili në një botë gjithnjë e më të globalizuar duhet të promovojë një ekonomi që është në shërbim të njeriut.

“Kisha përballë forcave të mëdha që godasin kryesisht më të varfërit, dëshiron të bashkëpunojë me shtetet dhe institucionet civile për themelimin e një qeverisjeje botërore, bazuar tek përgjegjësitë dhe pjesmarrja e të gjithëve.” vë në dukje mes tjerash kard. Peter Turkson në mesazhin e vet dërguar takimit të Këshillit Kombëtar Italian të Ekonomisë dhe Punës. “Njerëzimi ka hyrë në një fazë të re, në hijen e një kapitalizmi të ri planetar.”- u theksua në takim, dhe në këtë kohë krize dhe shndërrimesh radikale sipërmarrjet shoqërore tregojnë rrugën e drejtë ku duhet ecur për të caktuar rregulla të reja për një aleancë të re ndërmjet etikës dhe ekonomisë. Ndërsa Imzot Mario Tozo nënvizoi faktin se sot vihet re “një asimetri ndërmjet botës së globalizuar dhe politikës dhe pikërisht kjo asimetri është rrënja e krizës që ka ardhur si pasojë e mungesës së rregullave dhe të kontrolleve. Kështu, pra politika duhet të rimarrë kontrollin për ndërtimin e një “rendi të ri botëror” dhe për “një reformë të sistemit ekonomiko-financiar, cili duhet t’i kthejë etikës vendin e merituar.” përfundoi Imzot Tozo.

Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar për ekonominë dhe punën, Antonio Marcano vuri në dukje se sot ndonëse nuk ka konkurrentë nëpër ekonomitë e planifikuara, ekonomia tradicionale e tregut është në krizë dhe karakterizohet nga pasiguria, mbi të gjitha për ata që gjenden anash aktivitetit ekonomik, pra për të moshuarit, të rinjtë dhe të papunët. Sidoqotë mungon një projekt për Perëndimin. Nga ky këndvështrim, “çështja e mënyrës së sjelljes së operatorëve të tregut është themelore.” shtoi Marcano.
“Përmirësimi i ekonomisë është ende i brishtë dhe i ngadaltë. E megjithatë është e nevojshme të rikthehet besimi i njerëzve.”- vuri në dukje gjatë fjalës së tij sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Shoqëror Angel Gurria, i cili i përkufizoi sipërmarrjet shoqërore si një nga instrumentet më strategjike për përtëritjen ekonomike dhe për promovimin e përgjegjësisë dhe të pjesmarrjes së njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.