Përurohet në Hong Kong një qendër e re për të përhapur idetë e jezuitit, atë Mateo
Riçi
(14.06.2010 RV)Këto ditë, në Hong Kong, u përurua një Qendër për përhapjen
e ideve të jezuitit, atë Mateo Riçi, ungjillëzues i Kinës. Pikërisht këtë vit festohet
kudo 400-vjetori i vdekjes së misionarit të madh. Të shumta janë institutet, që i
kushtohen atij, nga Tajvani në Makao e në Paris. Ndër to, edhe Instituti i studimit
historik e kulturor të Kinës e të Perëndimit, që mban emrin e Mateo Riçit, në Universitetin
amerikan të San Fransiskos. Qëllimi i qendrës së re në Hong Kong është të studiojë
historinë e jezuitit, që e kaloi jetën në inkulturimin e Ungjillit në mesin e kinezëve,
duke mësuar prej tij mënyrën e afrimit ndërmjet dy qytetërimeve, atij kinez e atij
evropian.