Në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, Kisha lutet për shenjtërimin e klerit
Sot më 11 qershor, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, kremtohet edhe Dita për shenjtërimin
e klerit, themeluar nga Gjon Pali II në vitin 1995, që sivjet përkon edhe me mbylljen
e Vitit Meshtarak të caktuar nga Benedikti XVI. Po cila është domethënia e
kësaj dite? Kjo ditë ka për qëllim që të lutemi për shenjtërimin e klerit
dhe që i gjithë populli i Zotit, natyrisht edhe klerikët, të fitojnë vetëdijen se
meshtaria është e pazëvendësueshme. Shëlbimi kalon nëpër meshtarinë, për të arritur
tek të gjitha breznitë e të gjitha kohërave. Domethënia e parë, pra, është të kuptohet
se meshtaria nuk është mbistrukturë e Kishës, por strukturë, mbi të cilën ngrihet
vetë Kisha, sepse rrezaton dëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për t’i shëlbuar të
gjithë njerëzit. Qëllimi, pra, është të lutemi për klerin, sepse meshtari, që është
një Krisht tjetër në gjirin e shoqërisë, do të duhej të kishte tiparet e Krishtit,
e prej këndej, shenjtëria bëhet kërkesë jetike, pa të cilën meshtari nuk mund të kuptohet. Pse
kjo Ditë përkon gjithnjë me solemnitetin e Zemrës së Krishtit? Zemra, e dimë
të gjithë, është simbol i ndjenjave. Sapo shikojmë zemrën në një pikturë, mendojmë
menjëherë për dashurinë, për ndjenjat që e bëjnë të rrahë atë zemër. Zemra e Krishtit
është simboli i dashurisë baritore për shpirtrat. Kur e shikojmë Zemrën e Krishtit,
na vijnë menjëherë në mendje fjalët: “Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur
prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”. Atëherë meshtari e ndjen se duhet, se pritet
si mik: “Nuk do t’ju quaj më shërbëtorë, por miq” u thotë Krishti meshtarëve të tij
e apostujve të tij; e atëherë meshtari ndjen se e kuptojnë edhe kur është krejt i
vetëm, ose kur jeton dramën e moskuptimit, në sa përpiqet të komunikojë vlerat në
një shoqëri të shekullarizuar,ku zëri i tij shpesh humbet mes zhurmave. E kjo për
meshtarin është shkollë, ku nxë mësimin e dashurisë baritore, për t’u bërë ai vetë
strehë e shpirtrave. Edhe vetë pamja e meshtarit, veshja e mënyra si mbahet, duhet
të jetë një shenjë që i flet besimtarit për qëndrimin e tij atëror, për mikpritjen,
mirëkuptimin, për sigurinë se meshtari është strehë për të gjithë e në çdo rrethanë.
Mendoj se shkollë e veçantë është edhe ajo që të jesh rrëfyes i mirë, për të mbarështuar
mëshirën e Zotit. Si duhet të jetë figura e meshtarit që pret sot
bashkësia e krishterë? Meshtari që pret bashkësia është, mbi të gjitha, njeri
i Zotit. Bashkësia pret të shikojë në të figurën e Famullitarit të shenjt të Arsit,
apo Shën Gjon Boskun. Natyrisht secili ka karakterin e vet, por kjo nuk e përjashton,
përkundrazi e thellon, kërkesën për të parë në të vetë Zotin. Kur e pyesnin ndokënd,
që kthehej nga takimi me Shën Gjon Vianejn, famullitarin e Arsit: “Ke shkove të shikosh?”,
përgjigjej: “Shkova të shikoj Zotin në një njeri”. Unë besoj se edhe laikët, kur flitet
për meshtarin apo kur duan t’ia hapin zemrën dikujt, kërkojnë pikërisht njeriun e
Zotit. Cilat janë sfidat kryesore për meshtarët e sotëm? Sigurisht
janë sfidat për të cilat flet shpesh Ati i Shenjtë, do të thotë sfida e shekullarizimit,
e relativizmit, e mendimit të ligsht, shumë e përhapur në kulturën e masës, e indiferentizmit,
e mungesës së aftësisë për ta parë realitetin me sy kritik, duke dalluar në të të
mirën nga e keqja. Në këto rrethana, meshtari nuk duhet të ecë pas botës, por pas
Zotit, duhet të dijë t’i përballojë e t’i shikojë sfidat me syrin e Zotit, të dashurisë
së tij e me pasion për misionin. A mund të themi se meshtari shenjt
edukon besimtarë të shenjtë? Kjo pyetje flet për shkëmbimin e shenjtërisë.
Sa më i shenjt të jetë meshtari, aq më të shenjtë bëhen ata, për të cilët kujdeset
shpirtërisht. Është një lloj si burimi i ngrohtësisë: në se në një dhomë është i ndezur
kaloriferi, ndjehet menjëherë ngrohtësia. Prandaj në këtë Ditë, mendoj se besimtarët
duhet të luten që meshtarët e tyre t’i përngjasin sa më shumë Krishtit e Zemrës së
Tij Përdëllyese.