2010-06-10 15:24:28

Kardinali Bertone: “njerëzimi ka nevojë për meshtarë autentikë, profetë të një bote të re”.


“Në këtë kohë në të cilën pabesitë apo tradhtitë, edhe të rënda, nga ana e disa anëtarëve të klerit kanë ndikuar negativisht në besueshmërinë e Kishës, njerëzimi ka nevojë për meshtarë të përnjëmendtë, profetë të një bote të re”. Kështu u shpreh sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, dje pasdite, duke sjell përshëndetjen e Papës drejtuar pjesëmarrësve në manifestimin e dëshmive e të kontributeve artistike me temë “Meshtarët sot”, mbajtur në sallën e Palit VI në Vatikan me rastin e mbylljes së Vitit Meshtarak.
Duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë me fjalët “të dashur miq meshtarë”, kardinali Bertone nënvizoi se si “në këtë periudhë, jemi detyruar të bartim dhimbjet që kanë shkaktuar pabesitë, e shpesh edhe të rënda, të disa anëtarëve të klerit, e që kanë ndikuar kaq negativisht mbi besueshmërinë e Kishës, për çka Papa duke iu përgjigjur gazetarëve gjatë vizitës së tij në Portugali, foli për një ‘persekutim’ që lind në brendësi të vet Kishës”.
Prapëseprapë, shtoi kardinali Bertone duke cituar Letrën baritore të Papës dërguar katolikëve të Irlandës, “nga kjo dhimbje buron një zgjim i ndërgjegjes që është dhuratë e provanisë hyjnore: lypet të jetojmë ‘stinën e rilindjes e të përtëritjes shpirtërore’, duke ndjekur ‘me guxim udhën e kthimit tek Zoti, udhën e pastrimit e të pajtimit’, të gjejmë rrugë të reja për t’u transmetuar të rinjve bukurinë dhe pasurinë e miqësisë me Jezu Krishtin në bashkim me Kishën e tij’, siç na fton të bëjmë Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.