2010-06-10 16:24:34

Celikas: kodikët e Shqipërisë flasin për krishterimin dhe kulturën në këto treva


Koleksioni i mbi 100 kodikëve i ekspozuar së fundi në Tiranë, një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar, por dhe me vlera botërore, pasi dy prej tyre "Berantinus 1" dhe "Berantinus 2" janë marrë nën mbrojtjen e UNESCO-s, do të publikohen dhe shqipërohen përmes një bashkëpunimi mes paleontologëve shqiptarë me homologë të huaj.
Drejtori i Arkivit Historik dhe Paleografik i Fondacionit Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë, Agamemnon Celikas, në një intervistë për ATSH-në, vlerëson se, "Kodikët si dorëshkrime, përfaqësojnë nivelin kulturor të këtij vendi, por dhe atyre që i mbanin këto dorëshkrime. Kjo ekspozitë është një ngjarje të madhe jo vetëm për kulturën shqiptare, por dhe për kulturën në botë".
Duke folur për kodikët shqiptarë, Celikas thotë se "dorëshkrimi më i vjetër që ndodhet në Tiranë është Kodiku i Purpurt i Beratit nr 1, që daton në shek e 6, i përket periudhës kur perandor ishte Justiniani i II dhe në të janë tekstet e 2 ungjijve".
Sipas tij, "ekzistenca e dorëshkrimeve në Shqipëri ishte e njohur që në fillim të shek 20-të, por për shumë kohë, ato ishin të panjohura për studiuesit".
Celikas shprehet optimist për njohjen e tyre në një publik më të gjerë, veç studiuesve. "Sot me zhvillimin e shkencës së paleografisë dhe fakti se tashmë ka dhe paleografë të specializuar në Shqipëri, fillon dalëngadalë publikimi i tyre, hartimi i një katalogu për dorëshkrimet dhe pastaj studimi i tyre. Kështu dorëshkrimet (kodikët) shqiptarë bëhen të njohur për të gjithë studiuesit në botë, por dhe është një mundësi për të evidentuar vlerat e tyre historike, shkencore dhe kulturore".
Sipas tij, zhvillimi i Kodikëve në botë si një formë e librit, nisi që në shekullin e II pas Krishtit. "Kemi forma më të vjetra të librit, që i hasim në formën e cilindrit, ku lënda e përdorur është papirusi, ndërsa për Kodikët flasim për një formë e librit si ai që paraqitet edhe në ditët e sotme".
Duke folur për karakterin që kanë përgjithësisht Kodikët, Celikas sqaron se "pjesa më e madhe e tyre kanë përmbajtje teologjike, pasi janë tekste, apo libra me përmbajtje ungjillore, që përdoreshin në çdo kishë. Por ka dhe të tjerë me përmbajtje teologjike, filozofike, juridike dhe që tregojnë për cdo aspekt të jetës njerëzore në kohërat kur u shkruan".
Celikas tregon se si ruhen dhe punohet me fondin e mbi 40 mijë kodikëve që janë në Greqi. "Ne kemi një numër të madh dorëshkrimesh të këtyre periudhave dhe përmes sipërmarrjeve të veçanta shkencore dhe kulturore kemi organizuar në fillim fotografimin e tyre në mikrofilm dhe më pas, fotografimin dixhital, në mënyrë që të gjithë studiuesit që duan të kenë përpara një kopje të këtij libri, të mund t'a kenë të thjeshtë mundësinë për t'u afruar me të si me një libër", thotë paleografi grek, Agamenon Celikas.
Ai sqaron se, "përmbajtja e tyre është e përzier, kemi dorëshkrime me përmbajtje historike, matematikore, teologjike, filologjike dhe gjithçka, çdo informacion që ka arritur në ditët tona, ka ardhur përmes këtyre librave".
Ndërsa tregon se mbi 40 mijë dorëshkrime të shkruara në greqisht gjenden në bibliotekat dhe arkivat e Greqisë, Celikas shton se "dorëshkrimet greke i hasim edhe në biblioteka të tjera të mëdha si në Londër, Paris, Romë, në Vatikan, Vjenë, Berlin, etj".
Sipas tij, "ata kanë lidhje mes tyre, sepse janë të gjitha dorëshkrime të krijuara në mjedisin e Bizantit, por dhe që janë shkruar në Evropën Perëndimore, kur filloi të kultivohej studimi i filologjisë greke".
Paleografi dhe punonjës i AQSH-së, Sokol Çunga në lidhje me përkthimin e tyre në gjuhën shqipe, sqaron se "kjo çështje ngrihet kur kemi një tekst që ka interes të drejtpërdrejtë dhe që lidhet me historinë e shqiptarëve, me gjuhën, identitetin, etj".
Sipas tij, "përkthimi bëhet zakonisht për ato çështje që hedhin dritë mbi historinë e shqiptarëve, në rastin tonë, por edhe për ata që duan të studiojnë një pjesë të historisë së Bizantit, apo një pjesë të historisë pas-bizantine".
Cunga sqaron se " tekstet e kodikëve të muzikës bizantine janë të shkruar në gjuhën greke, por sot në kishën ortodokse në Shqipëri përdoret gjuha shqipe ose gjuhët e tjera, në varësi të minoriteteve. Pjesa më e madhe e shërbesave dhe pjesa më e madhe e lutjeve që lexohen është përkthyer në shqip, duke filluar që nga Kristoforidhi, Noli, etj., të cilët kanë përkthyer këto shërbesa".
Koleksioni i Kodikëve ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit dhe përbëhet nga mbi 100 vëllime, që përbëjnë vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente, të cilat, të gjithë së bashku, njihen si "Fondi 488".
Për njohjen dhe ekspozimin e tyre Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Fondacionin Grek të Kulturës, Fondacionin Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, çeli në 3 maj ekspozitën "Dorëshkrime bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri".
Plot 45 kodikë, që i përkisnin periudhës historike nga shekulli VI deri në shek. XVIII, u paraqitën në 3 maj në ekspozitën "Dorëshkrime Bizantine dhe Pas Bizantine në Shqipëri".
Ekspozita e këtyre përmasave u organizua për herë të parë në Shqipëri dhe synoi afrimin e publikut tek thesaret e kulturës dhe historisë së vendit. Për të dhënë një pamje më të plotë të dorëshkrimeve në këtë ekspozitë u paraqitën edhe 28 panele fotografike, që jepnin një informacion më të detajuar dhe më të zgjeruar të brendësisë së Kodikëve. Ajo u vizitua nga rreth 2000 vizitorë.
Seria e veprimtarive paralele të zhvilluara në kuadrin e ekspozitës u mbyll zyrtarisht me një koncert muzikor me himne bizantine, që gjenden të shkruar me nota muzikore në kodikët shqiptarë mesjetarë të Arkivit Qendror, nën interpretimin e Korit Kishtar Bizantin "Shën Joan Kukuzeli", titulluar "Mbrëmësore Bizantine". Ekspozita e Kodikëve shqiptarë do të qëndrojë e hapur deri në 12 Qershor ne mjediset e Arkivit Shtetëror në Tiranë. (nga ATSH.ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.