2010-06-10 15:47:41

Benedikti XVI priti në audiencë kryeministrin spanjoll Zapatero. Kriza ekonomike, liria fetare, respekti për jetën dhe arsimi në qendër të takimit.


(10.06.2010 RV)Papa Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë kryeministrin spanjoll Rodriguez Zapatero. Më pas kryeministri Zapatero, shoqëruar nga ministri i punëve të jashtme Miguel Angel Moratinjos u takua me sekretarin e Shtetit te Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone dhe me imzot Dominik Mamberti, sekretar për marrëdhëniet me shtetet.
“Bisedimet, – njofton Salla e Shtypit e Vatikanit – bënë të mundur shkëmbimin e ideve mbi Evropën, mbi krizën aktuale ekonomiko-financiare dhe mbi rolin e etikës. Gjithashtu u fol edhe për vendet e Amerikës Qendrore dhe të Karaibeve, si edhe për situata e shtete të tjera si Lindja e Mesme”.
Më pas u diskutua edhe për “marrëdhëniet dypalëshe, si edhe për çështjet e aktualitetit dhe me interes për Kishën në Spanjë, siç është për shembull paraqitja e një projekt-ligji të ri mbi lirinë fetare, mbi pacënueshmërinë e jetës që nga zënia. Në fund u fol edhe për arsimin.”
Në lidhje me vizitën e Papës në Santiago dhe në Barcelonë këtë vit, dhe në Madrid në 2011 për Ditën Botërore të Rinisë, “u shfaq gatishmëria më e madhe e qeverisë spanjolle për të bashkëpunuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e tyre.” përfundon komunikata e Sallës së Shtypit të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.