2010-06-09 18:21:08

Të shtunën, në Spanjë do të lartohet në nderimet e elterit, gazetari i parë laik, Lothano Garrido.


(09.06.2010 RV)Ndërmjet qershorit e nëntorit të këtij viti, disa Kisha vendase do të lartojnë në nderimet e elterit nëntë të lum, tre nga të cilët, shekullarë. Zyra e Kremtimeve Papnore Liturgjike njoftoi edhe datat e riteve të ardhshme të lumnimit, miratuar nga Benedikti XVI.

Do të jetë Kisha spanjolle, bashkësia që do të kremtojë më shumë, në muajt ardhshëm, duke shtuar radhët e saj me tre të lum të rinj. I pari, që do të lumnohet të shtunën e ardhshme, në Linares, do të jetë Manuel Lothano Garrido, laiku i parë gazetar lartuar në nderimet e elterit. Një kremtim i dyfishtë, gjithnjë në Spanjë, do të jetë ai i shtatorit. Do të shpallen të lum, Leopoldo de Alpandeire (Franthisko Sançes Marketh), rregulltar i Urdhërit të Fretërve të Vegjël kapuçinë – të shtunën, më 12 shtator në Granada; e, gjashtë ditë më pas, në Sivilje, Maria de la Imakulada Konthepthion (Maria Isabel Salvat i Romero), virgjër.

Laikja tjetër, Kjara Badano, një vajzë italiane savonese, shuar pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 19 vjeçare, do të lumnohet të shtunën, më 25 shtator, në Shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore, në Romë.

Dy janë themelueset e instituteve rregulltare, që do të lartohen në elter: Ana Maria Adorni, vejushë, themeluese e Kongregatës së Shërbëtoreve të Zojës së Papërlyer dhe e Institutit të Bariut të Mirë të Parmës, që do të lumnohet të dielën, më 3 tetor, në qytetin emilian, dhe rregulltarja Maria Barbara e së Shenjtnueshmes Trini (Barbara Maix), themeluese e Kongregatës së Motrave të Zemrës së Papërlyer të Zojës së Bekuar, riti i lumnimit të së cilës do të kremtohet më 9 nëntor, në Porto Alegre të Brazilit.

Të dielën e ardhshme, 13 qershor, në Celje të Sllovenisë, do të lumnohet Alojzi (Lojze) Grozde, laik, martirizuar në moshën 20 vjeçare, nga komunistët e vendit të vet; ndërsa më 27 qershor, në Kfifan (Batrun-Liban), do të ngrihet në nderimet e elterit Estefan Nehmé, rregulltar i Urdhërit libanez maronit.
E, së fundi, më 30 tetorin e ardhshëm, në Oradea Mare të Rumanisë, do të jetë radha e ipeshkvit Silard Bogdanfí, edhe ai martir, mbytur nga urrejtja për fenë e Krishtit.
Thamë se ndërmjet të lumëve të rinj, është edhe Manuel Lothano Garrido, figura e jashtëzakonshme e të cilit u paraqit sot paradite në emitenten tonë, nga kryetari i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli.
Anëtar i Veprimit Katolik, gazetar e shkrimtar, invalid e i verbër, dëshmitar i Ungjillit e apostull plot gëzim! Janë disa nga tiparet, që e dalluan Manuel Lothano Garridon. Lindur më 1920 në Lonares, i njohur më shumë me emrin përkëdhelës ‘Lolo’, është gazetari i parë laik, që shpallet i Lum. E jetoi gjithë jetën me fe të gjallë. Gjatë persekutimit fetar në Spanjë, në kulmin e Luftës civile, Lolo u zgjodh për t’u çuar Kungimin Shenjt të burgosurve. Ishte më pak se 16 vjeç, kur u arrestua. Vite më pas, do të kujtonte një nga gëzimet më të mëdha të jetës së tij: gëzimin që ndjeu, kur kaloi natën e së Enjtes së Madhe, së bashku me të burgosur të tjerë, në adhurim para të Shenjtnueshmit Sakrament. Gjithë jeta e tij përshkohet nga pasioni për të vërtetën, bazuar mbi Ungjillin, siç e nënvizoi kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli:
Ajo, që më preku më shumë, ishte feja e tij. Herën e parë që u krijuan mundësitë për ta kremtuar Meshën Shenjte në shtëpinë e tij, kur ishte i sëmurë rëndë, para se të fillonte kremtimi, pyeti në se makina e tij e shkrimit ishte vendosur nën elter; dëshironte që Kryqi të shkrihej e të bëhej një me gërmat e makinës së shkrimit e që, edhe aty, të jepte frytet e veta”.
Në vitin 1942 nisi të vuajë nga një paralizë në zhvillim e cila, pas pak kohe, do ta ngujonte në krevat. Më 1962 humbi edhe dritën e syve, por kjo nuk mundi ta thyente karakterin e tij, të çelnikosur nga fryma eukaristike e mariane. Vijoi ta jetonte thirrjen për të shkruar, duke dëshmuar të vërtetën, të cilën e shikonte, tashmë, vetëm me sytë e zemrës:
“Lolo, kohët e fundit, tha imzot Çeli, e jetoi thellësisht këtë thirrje, gjithnjë në bashkim me Krishtin, që ia shndërronte dhimbjet në shëlbim, në hir, në dashuri. Ishte një sakat i lumtur!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.