2010-06-09 18:20:52

Papa në audiencën e përgjithshme, për shtegtimin në Qipro: “ngjarje historike”.


(09.06.2010 RV)Ngjarje historike, që ia arriti plotësisht qëllimit”: kështu e quajti Papa shtegtimin e tij të fundit apostolik në Qipro, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Ati i Shenjtë ia kushtoi katekizmin etapave të ndryshme të shtegtimit, nga takimet ekumenike, tek ato baritore; nga përgatitjet për Sinodin e ardhshëm të Kishave të Lindjes së Mesme, tek thirrja drejtuar të krishterëve për të mos ikur nga trojet e tyre. Duke kujtuar këto etapa, Papa theksoi edhe qëllimin kryesor të këtij shtegtimi: e vizitoi Qipron, që ta përforconte në fe grigjën e vogël, por plot gjallëri, të katolikëve në ishull. Çasti kulmor i shtegtimit ishte ai i dorëzimit të Instrumentum laboris, për Sinodin e vendeve të Lindjes së Mesme, të cilat, tha Papa, zënë një vend të posaçëm në zemër të Kishës. Kujtoi edhe thirrjen, bërë mbarë katolikëve, që të mos i lëshojë zemra përballë vështirësive e të mos tundohen për të marrë udhët e mërgimit por, me praninë e tyre, të jenë gjithnjë e për të gjithë, shenjë shprese.

Pas Tokës së Shenjtë vitin e kaluar e Maltës, dy muaj më parë, Papa shkeli, tani, në trojet e Qipros. Vizita apostolike e fundjavës së kaluar në Ishull, i krijoi Benediktit XVI mundësinë t’i shtojë gurë të rinj, mozaikut të shtegtimit të tij në viset ku u shkruan faqet e para e kryesore të historisë së Kishës. Ngrohtësia e gjallëria e pakicës katolike dhe përzemërisa me të cilën kjo pakicë e priti Kryebariun e vet, e prekën thellë në zemër Papën, që në kremtimin e parë ekumenik. Ndërmjet gërmadhave arkeologjike të Pafosit të lashtë, në një atmosferë që, vërejti, të dukej si sintezë e prekshme e dymijë vjetëve të historisë së krishterë, përsëritëm vëllazërisht impenjimin reciprok ekumenik, pa kthim mbrapa, ndërmjet armenëve, luteranëve, anglikanëve e, sidomos, shumicës ortodokse, tejet të lidhur me realitetin e Qipros:
“Kjo rrënjosje në traditë nuk e pengon Bashkësisë ortodokse të impenjohet me vendosmëri në dialogun ekumenik, njëzëri me bashkësinë katolike, të dyja palët, të frymëzuara nga dëshira e sinqertë për të rikrijuar bashkimin e plotë e të dukshëm ndërmjet Kishave të Lindjes e të Perëndimit”.
Tema të ndryshme, por me të njëjtën rëndësi, u prekën një ditë më pas, para presidentit qipriot dhe autoriteteve, në Nikozi, ku Papa theksoi se mundi të ripohonte:
Rëndësinë e themelimit të ligjit pozitiv mbi parimet etike të ligjit natyror, me qëllim që të promovohet e vërteta morale në jetën publike. Ishte një thirrje, që i bëhej arsyes, bazuar mbi parimet etike e ngarkuar me kërkesa të ndërlikuara për shoqërinë e sotme, e cila shpesh herë nuk i njeh më themelet e traditës së vet kulturore”.
Kujtimi i Benediktit XVI u ndal, pastaj, tek takimet me katolikët e ritit maronit e të ritit latin, tek përvoja, zelli e roli i tyre në veprimtarinë bamirëse, në nivel shoqëror, që Papa pati rastin ta shikojë nga afër. Benedikti XVI theksoi se hyri, me emocion të thellë, në shpirtin e Kishës maronite, duke pasur parasysh sidomos, grupin e besimtarëve, që jeton në veri të Qipros, kontrolluar nga turqit:
Ishte posaçërisht domethënëse prania e disa katolikëve maronitë, që jetojnë në katër fshatra të ishullit, ku të krishterët janë popull që vuan, që pret, që shpreson: u shpreha gjithë mirëkuptimin tim atëror, duke i njohur mirë shpresat e tyre, por jo më pak, edhe vështirësitë (…). Të gjithë, latinë e maronitë, i sigurova se do t’i kujtoj vazhdimisht në lutje, duke u dhënë zemër ta dëshmojnë Ungjillin edhe përmes një pune durimtare për krijimin e frymës së respektit të anasjelltë ndërmjet të krishterëve e jo të krishterëve, për të siguruar paqen afatgjatë e harmoninë ndërmjet popujve”.
Një paqe, që nuk mund t’i përjashtojë të krishterët e të gjitha zonave të Tokës së Shenjtë, të cilëve Benedikti XVI u bëri thirrje:
Pavarësisht nga provat e mëdha dhe vështirësitë e mirënjohura, të mos dorëzohen përballë shqetësimeve e të mos tundohen për të nisur udhën e mërgimit, sepse prania e tyre në zonë, përbën një shenjë të pazëvendësueshme shprese. I sigurova ata, e sidomos meshtarët e rregulltarët, se nuk do t’u mungojë kurrë solidariteti i përzemërt e i thellë i mbarë Kishës, ashtu si edhe lutja e vazhdueshme, që Zoti t’i ndihmojë për të qenë gjithnjë prani frymëzuese e paqëtuese”.
Papa e përfundoi audiencën, duke kujtuar Meshën solemne të 6 qershorit, gjatë së cilës u dorëzoi Instrumentum laboris ipeshkvijve, që në tetorin e ardhshëm do të jenë në Vatikan, për të marrë pjesë në Sinodin e Kishave të Lindjes së Mesme: një zonë, ritheksoi Papa, që zë vend të posaçëm në zemrën e Kishës e së cilës, pak ditë më parë, iu mbyt brutalisht një nga barinjtë:
Së bashku u lutëm për shpirtin e të ndjerit ipeshkëv, imzot Luigji Padoveze, kryetar i Konferencës ipeshkvnore turke, vdekja e papritur dhe tragjike e të cilit na tronditi e na hidhëroi pa masë”.
Ndërmjet përshëndetjeve të shumta në gjuhë të ndryshme, në përfundim të katekizmit, është për t’u kujtuar ajo, që Benedikti XVI u drejtoi besimtarëve polakë, të cilët i ftoi t’i luten për ndërmjetësim të Lumit të tyre të ri, don Jerzhi Popielushko, posaçërisht, kujtoi, të gjithë polakët që vuajnë nga përmbytjet e edhe ata, që nuk ua kursejnë ndihmën. Më pas, si foli për Kapitullin e përgjithshëm të Misionarëve të Afrikës, të njohur me emrin “Etërit e Bardhë”, Papa ia kushtoi mendimin e fundi, festës së Zemrës së Krishtit, që do të kremtohet pasnesër e që do të shënojë edhe përfundimin e Vitit Meshtarak, në praninë e mijëra meshtarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.