2010-06-09 08:33:52

Më 9 qershor, kalendari Kishtar përkujton Shën Efremin, teolog e doktor të Kishës.


(09.6.2010 RV)Shën Efremi, Sirian,lindi në Nisibi, (Mesopotami) në vitin 306, ndërsa vdiq në qytetin Edesa, Siri (sot Turqi) më 9 qershor të vitit 373.
Ishte shumë i ri, vetëm 7 vjeçar kur Konstantini e shpalli ediktin e Milanos. Mirëpo, Efremi nuk e pati mundësinë ta gëzonte lirinë e kultit në familje, sepse babai i tij, prift pagan nuk ishte i mendimit e nuk i pëlqente formimi kristian, të cilin formim të birit ia mësonte nëna e përshpirtshme. Për këtë Efremi qe dëbuar nga i ati prej shtëpie. 18 vjeçar e mori pagëzimin dhe jetoi në Edesa, duke punuar si shërbëtor në një banjo publike. Në vitin 338 Nisibi qe sulmuar prej Persianëve dhe Efremi luftoi në mbrojtje të tij. Kur Nisibi ra nën pushtimin persian, Efremi, i bër diakon, në vitin 365 u vendos në Edesa, ku drejtoi një shkollë. Shën Efremi, njohës i thellë i Shkrimeve biblike, ishte përçues (transmetues) i mirëfilltë i doktrinës së Kishës së vjetër kristiane. Njihet si përhapësi i së vërtetës kristiane, kryesisht përmes poezisë, për çka edhe u quajt “harpa e Shpirtit Shenjtë”. Vdiq më 9 qershor të vitit 373 në Edesa. Tradita kishtare e kujtoi se njeri të përshpirtshëm, teolog të shquar e murg shembullor e të prerë.
Audienca e përgjithshme kushtuar Shën Efremit, teolog i shekullit IV
(28.11.2007 RV) Qestja e Shpirtit Shenjt: kështu, me një shprehje të traditës së krishterë e kujtoi Papa Shën Efrem Siriakun, të cilit i kushtoi sot katekizmin e audiencës së përgjithshme.
“Duke e përdorur në mënyrë të gabuar lirinë, njeriu e përmbys rendin e kozmosit”: këtë pohoi Papa në sa kujtonte mësimet e Efremit mbi temën e Hyjit krijues, ndërmjet të cilave, edhe mësimi i mëposhtëm i përfaqësuesit më simbolik të krishterimit në gjuhën siriake, poetit më të përmendur të të gjithë epokës patristike: “Në krijim, asgjë nuk është e izoluar e bota, përkrah Shkrimit Shenjt, është Bibla e Hyjit”.
Benedikti XVI e kujtoi figurën e Efremit, lindur në vitin 306 e vdekur nga murtaja, që iu ngjit në sa u shërbente të sëmurëve, duke u ndaluar në mënyrë të posaçme tek veprimtaria e tij e shquar në shërbim të të gjithëve aq, sa që bashkëkohësit e kujtojnë me epitetin ‘shërbyesi’.
Ai – shpjegoi Papa – i përkiste kategorisë së njerëzve që ia kushtojnë krejt jetën Krishtit në shërbim të bashkësisë kishtare, duke i jetuar besnikërisht kushtet e virgjërisë e të varfërisë. Njeri tejet i thjeshtë, Efremi mbeti deri në vdekje diakon. Ai e thelloi reflektimin teologjik përmes poezisë e mund të themi se tipari kryesor i veprës së tij është takimi i teologjisë me poezinë:
Teologjia, reflektimi fetar, poezia, kënga, lavdërimi i Hyjit shkrihen së bashku e pikërisht në këtë karakter liturgjik të teologjisë së tij, duket qartë e vërteta hyjnore”.
Në veprën e tij përdori me sukses të madh sidomos simbolin, në sa këndonte teologjinë në një poezi tepër të pasur me figura letrare të marra nga natyra, nga jeta e përditshme e nga Bibla – shpjegoi Papa – duke nënvizuar vlerën katekistike të kësaj vepre e duke pohuar se është plotësisht aktuale për jetën e kishave të ndryshme të krishtera. Benedikti XVI nënvizoi se në veprën e Efremit pasqyrohet edhe roli i gruas, për të cilën flet gjithnjë me delikatesë e respekt. Duke shkruar se ‘Banesa e Jezusit ishte kraharori i një gruaje’ – shtoi Papa – Efremi e lartoi jashtëzakonisht dinjitetin e gruas. Ati i Shenjtë kujtoi, më pas, edhe figurat kryesore që përdori teologu-poet, në sa i këndonte Eukaristisë: janë prushi e perla.







All the contents on this site are copyrighted ©.