2010-06-09 17:03:22

Evropa dhe plani kundër krizës


(09.06.2010 RV)Evropa ka marrë masa për të filluar reforma, që kanë për qëllim t’u japin besim tregjeve dhe të përballojnë rrezikun e krizave të reja ekonomike. Nisma e miratuar nga Ekofin-i, mbledhur dje në Luksemburg, parashikon pushtet më të madh për Eurostatin, për verifikimin e të dhënave statistikore të vendeve të Bashkimit Evropian. Vendimi u mor, duke pasur parasysh përvojën e Greqisë, e cila manipuloi të dhënat që i dërgonte Brukselit, për të përshpejtuar hyrjen e saj në zonën e euros. Kontrolli i parë i Zyrës statistikore evropiane mund të bëhet në Bullgari. Ekzekutivi i Bashkimit Evropian ka shumë dyshime mbi vërtetësinë e të dhënave, që Sofja ka dërguar në Bruksel. Nën vëzhgim edhe Hungaria, e cila dje miratoi një plan për stabilizimin e financave. Manovra prej 1 miliard e gjysëm euro redukton pagat e punonjësve shtetërorë dhe zvogëlon me 15% financimet për partitë. Gjithashtu, parashikon më tepër taksa për bankat dhe firmat e sigurimit, por më pak për ndërmarrjet prodhuese. Të dëgjojmë opinionin e korrespondentes së gazetës ekonomike italiane “Sole24ore” në Bruksel, Adriana Çerreteli:
Të paktën në letër, kjo do të shmangë raste të tjera si ai i Greqisë në të ardhmen, duke mos i lejuar shtetet anëtare të gënjejnë me politikat e tyre jo të rregullta, ose të rreme. Përveç këtyre reformave, që Evropa dëshiron t’i përshpejtojë pikërisht për t’u dhënë sinjale pozitive tregjeve, është edhe aspekti tjetër i masave për konsolidimin e bilancit publik. Në thelb, kriza financiare dhe ndihmat që i janë dhënë sektorit bankar, si edhe ulja e prodhimit kanë shkaktuar një shpërthim të defiçiteve dhe të borxheve publike në Evropë.
Masat e marra nga shtetet e veçanta rëndojnë mbi qytetarët e Evropës. A nuk rrezikojmë ndonjë valë kundër Bashkimit Evropian?
Mendoj se rreziku ekziston dhe është shumë i madh. Por, njëkohësisht, të gjithë e kuptojnë se një krizë serioze e euros nuk i intereson askujt. Gjithsesi, reagimi i opinionit publik nuk mund të parashikohet. Duhet të shpresojmë që komunikimi i arsyeve të këtyre sakrificave t’i bindë mjaftueshëm njerëzit. Përndryshe, ka shumë mundësi që grevat të shtohen e kjo natyrisht, nuk do t’i bëjë mirë ekonomisë dhe politikës evropiane.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.