2010-06-09 07:02:40

200 vjetori i lindjes së kompozitorit gjerman Robert Shuman


(08.6.2010 RV)Robert Shuman, kompozitori romantik gjerman, ndër më të njohurit e shekullit të XIX, u lind plot 200 vjet më parë, në 8 qershor të 1810.
Në fëmijëri ai ëndërroi një karierë si pianist virtuoz dhe për këtë filloi studimet për piano me Friedrich Wieck. Por pas një dëmtimi në dorë, shpresat e Shumanit të ri u rrëzuan dhe ai filloi të hidhte vështrimin drejt kompozimit, pa u ndarë asnjëherë nga muzika.
Shuman nuk u josh kurrë nga letërsia , ndonëse nuk mungoi influenca e të atit, novelist, për t`u dhënë më tepër ndaj letërsisë sesa muzikës.
Kompozimet e tij të para ishin që në moshën 7 vjeçare, por me kalimin e viteve ai formësohet si artist, duke përmirësuar dhe prirjet e tij muzikore. Në fillimet e veta Shuman bënte vetëm kompozime për piano dhe vonë filloi të realizonte kompozime për orkestra, kore, etj.
Interesi i Shumanit që në fëmijëri për muzikën u lind pas ndjekjes së performancës së Ignaz Moscheles. Më tej ai filloi të interesohej mbi Bethoven, Shubert, Mendehlson, etj.
Në vitin 1828 ai u largua nga shkolla dhe vendosi të bënte një tur në qytete te ndryshme të Gjermanisë dhe u vendos në Leipzig për të studiuar për drejtësi.
I vetëdijshëm për rrëmujën që po krijonte në jetën e tij, Robert Shuman i shkruan një letër të ëmës, në të cilën theksonte se "e gjithë jeta ime ka qenë një rrëmujë e vërtetë, në fillim mes poezisë dhe prozës, ndërsa tani mes muzikës dhe drejtësisë".
Rreth vitit 1834 Shumani filloi të angazhohej me nxjerrjen e një reviste artistike, në të cilat botonte shkrimet e tij kritike.
Në vitin 1840, pas shumë diskutimesh me profesorin e tij të parë të pianos, Friedrich Wieck, Shumani u martua me vajzën e tij Clara Wieck, e cila ishte gjithashtu e pasionuar pas kompozimit dhe muzikës. Ajo pati një karierë shumë të suksesshme, ndërsa interpretoi dhe shumë pjesë të kompozuara nga bashkëshorti i saj. I dashuruar pas Clarës ai gjente dhe frymëzimin për të shkruar mjaft kompozime, të cilat ia dedikonte asaj. Dhe për këtë ka një shpjegim, pasi deri në vitin 1840, Shumani ka shkruar vetëm pjesë për piano, por vetëm në atë vit ai arriti të realizonte plot 168 kompozime jo vetëm për piano, por dhe për orkestra e kore.
Në jetën e tij ai u përkushtua plotësisht muzikës dhe kjo është arsyeja që në moshën 46 vjeçare, kur ai u nda nga jeta, la një pasuri të madhe me veprat e tij. Pas një tentative për t`u vetëvrarë në 1854, ai u shtrua në një spital psikiatrik, ku vdiq dy vjet më vonë në 29 korrik të 1856.







All the contents on this site are copyrighted ©.