2010-06-08 19:24:48

Shpërthim sot paradite në Stamboll. 15 të plagosur. Turqia dhe Rusia marrëveshje në fushën bërthamore.


(08.06.2010 RV)Një bombë shpërtheu sot paradite në Stamboll duke shkaktuar 15 të plagosur. Ndër ta ka policë që po udhëtonin në automjetin e tyre por edhe kalimtarë të rastit. Ngjarja ndodhi pikërisht kur po nënshkruhej marrëveshja ndërmjet Turqisë dhe Rusisë për bashkëpunim në fushën bërthamore.
Marrëveshja në fjalë u nënshkrua nga përfaqësues të Agjencisë Për Energjinë Bërthamore turke (Taek) dhe shërbimi federal rus për mbikqyrjen Ekologjike, Teknologjike dhe bërthamore. Takimi kryesohej nga kryeministri turk Erdogan dhe ai rus Putin.
Marrëveshja parashikon shkëmbimin e informacionit dhe teknikave për impiantet bërthamore. Po pikërisht, tema bërthamore të kujton luftën që po zhvillohet ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe Iranit. Ndërkaq kryeministri rus Putin, nga Stambolli, lajmëroi se “në fakt është arritur” një marrëveshje për një projekt-rezolutë që parashikon sanksione kundër Iranit për programin bërthamor dhe nënvizoi se “nuk duhet të jenë masa të tepruara”. Pesë vendet me të drejtë vetoje në OKB (SHBA, Britani e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina) kanë rënë dakord që më parë për tipin e rezolutës që do të hidhet në votë. Disa vënë në dukje se përveç Brazilit edhe Turqia e Libani, përfshirë në krizën e Lindjes së mesme, do të votojnë kundër rezolutës ose do të abstenojnë. Tashpërtash dihet vetëm deklarata e presidentit iranian Ahmadinexhad: “po qe se miratohen sanksione ndërkombëtare kundër Iranit, atëherë nuk do të ketë më negociata për çështjen bërthamore.”







All the contents on this site are copyrighted ©.