Në Darfur situata vazhdon të jetë kritike. 600 të vrarë vetëm në maj.
(08.06.2010 RV)Në zonën e harruar të Darfurit, në Sudan, gjendja vazhdon të
jetë kritike. Vetëm muajin e kaluar sipas burimeve të Kombeve të Bashkuara dhe të
Bashkimit afrikan u vranë afro 600 vetë në përleshjet ndërmjet rebelëve dhe trupave
qeveritare. Janë këto shifra që e bëjnë të kuptueshëm misionin e operatorëve të paqës
në terren pas shtatë vitesh konflikt dhe përpjekjeve të pafrytshme të gjykatës ndërkombëtare
për të vënë në bankën e të akuzuarve përgjegjësit e këtyre krimeve. Po nga ana tjetër
në Doha, Katar, po nisin përgatitjet e bisedimeve për paqë ndërmjet qeverisë së Kartumit
dhe një grupi ku bëjnë pjesë përfaqësues të rebelëve të Darfurit. Mbi mundësitë
për paqë, në mikrofonin e Radios Vatikanit flet përfaqësuesi i Bashkësisë së Shën
Egjidit, Vitorio Shelco:
Përgjigje: Situata në Sudan, në përgjithësi
është shumë e ndërlikuar. Po i afrohemi një kthese vendimtare, që do të jetë ajo e
referendumit për pavarësinë e jugut, që do të kremtohet në janar të vitit 2011. Pra,
letrat në dorë po përzihen rishtas. Është e nevojshme që problemi të shqyrtohet nga
anë të ndryshme. Këto janë çaste të vështira në të cilat aleancat ndryshojnë, ku ekuilibret
në zonë janë në rrezik dhe prandaj është i nevojshëm një impenjim më i madh i bashkësisë
ndërkombëtare. Po ashtu, duhet thënë se ndonëse përleshjet kanë rifilluar, kjo nuk
do të thotë se nuk ka më mundësi për zgjidhje nëpërmjet bisedimesh.