2010-06-08 16:55:02

Mbyllja e Vitit Meshtarak në Vatikan me takimin ndërkombëtar të meshtarëve.


(08.06.2010 RV)Këto ditë nisin kremtimet për mbylljen e Vitit Meshtarak, në nder të Famullitarit të Shenjtë të Arsit, shën Gjon Maria Vianej. Në Romë po fillojnë të vijnë meshtarë nga e gjithë bota. Për ta janë parashikuar ushtrime shpirtërore, lutje e meshë. Pikërisht për këtë takim ndërkombëtar, pyetëm Sekretarin e Kongregatës për Klerin, imzot Mauro Piaçenca, që shpjegon në mikrofonin tonë se cili është qëllimi i ardhjes së gati 15 mijë meshtarëve në Romë e Vatikan…
Përtëritja e madhe në kuptimin më autentik, pra një pranim i identitetit sakramentor, i motivuar dhe i vërtetë për çdo meshtar, që do të thotë përtëritje e vetëdijes mbi shërbimin baritor si rrjedhojë e këtij identiteti, që bazohet në Jezu Krishtin Shëlbues, Bariu i Mirë. I ashtuquajturi ungjillëzim i ri, për të mos mbetur në nivelin e parrullave, por për t’u bërë realitet veprues në jetën e përditshme, ka absolutisht nevojë për “vijën e parë të frontit”, pra për meshtarë, që nuk u përshtaten modave e rrymave të mendimit, që nuk u mpihet mendja nga shpirti i botës, por që janë brumosur tërësisht nga Shpirti i Zotit. Qëllimi i këtij Viti është gjallërimi i kësaj vetëdije në krejt indin kishtar, që ajo të bëhet tharm për formimin fillestar e të përhershëm të meshtarëve në mbarë botën.
Si është menduar takimi dhe sa meshtarë do të marrin pjesë?
Ata që janë regjistruar, prej një jave, e kanë kaluar tashmë shifrën 9 mijë, por priten edhe më shumë, deri në 15 mijë. Pikërisht për këtë kemi vendosur dy ditë (të mërkurën 9 e të enjten 10 qershor) për meditimin, adhurimin e Eukaristisë dhe Meshën, aktivitete këto, që mbushin paraditet. Bazilika duhej të ishte vetëm ajo e Shën Palit jashtë mureve, por na është dashur të shtojmë edhe atë të Shën Gjonit në Lateran. Kriteri është ai gjuhësor: meshtarët që flasin italisht, anglisht e gjermanisht në Bazilikën e Shën Palit, ata që flasin spanjisht, frëngjisht dhe portugalisht në Bazilikën e Shën Gjonit. Meditimet në kishën e Shën Palit do të bëhen nga kryeipeshkvi i Këlnit (Gjermani), kardinali Majsner dhe nga kryeipeshkvi i Kebekut (Kanada), kardinali Ojé, por do të përkthehen në gjuhë të ndryshme edhe për ata që ndodhen në Bazilikën e Shën Gjonit. Shumë meshtarë, por edhe besimtarë, sëbashku me ipeshkvijtë e tyre priten në mbrëmjen e lutjes të enjten, më 10 qershor (nga ora 20.30 deri më 22.30). Në pjesën e dytë të mbrëmjes, që zhvillohet në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, do të zbresë edhe Ati i Shenjtë, i cili të nesërmen, e premte, 11 qershor, do të kremtojë Meshën përfundimtare të Vitit meshtarak, në orën 10, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit.
Në mbrëmjen e lutjes në Vatikan, përveç lidhjeve televizive me Arsin e Jeruzalemin, keni parashikuar edhe lidhje me favelat e Buenos Airesit dhe me Hollivudin. Përse?
Arsi është famullia ku Meshtari i Shenjtë jetoi e kreu shërbimin e vet në mënyrë shembullore, duke ilustruar mrekullisht mirë atë identitet meshtarak, që merr dritë nga misteri eukaristik e nga sakramenti i mëshirës. Çenakulli i Jeruzalemit është djepi i meshtarisë. Lidhja me favelat e Buenos Airesit na ndihmon të kuptojmë se si shërbimi meshtarak mund të jetë tharm i vërtetë i qytetërimit në tërësi, si meshtari mund të jetë i frytshëm në detyrën që i takon, e jo kur imiton sindikalistin apo politikanin, por vetëm kur bën tërësisht e besnikërisht vetëm meshtarin. Nuk është e lehtë ta tregosh këtë me fakte, nuk është pak për formimin meshtarak. Pastaj, lidhja me një realitet famullitar të dioqezës së Los Anxhelesit, e lidhur me famullinë e lashtë të fshatit të Arsit në kohën e Shën Gjon Maria Vianejt do të na ndihmojë të shohim se si kohët dhe vendet e ndryshme na bëjnë të kuptojmë se ka një fill të artë që përshkon gjithçka, ka një bërthamë absolutisht aktuale, të përbërë nga intimiteti hyjnor, pasuria e brendshme, përçimi i pranisë së Krishtit tek të tjerët. Edhe kjo nuk është pak për formimin kishtar e për kuptimin e asaj vazhdimësie, për të cilën na ka folur shpesh Ati i Shenjtë.
Ky takim është përfundimi apo fillimi i ciklit të përtëritjes shpirtërore të meshtarëve, pikërisht në këtë vit, gjatë të cilit pati ngjarje shumë të dhimbshme për Kishën e meshtarët?
Po ju përgjigjem menjëherë e me shumë bindje: është fillimi. Fillimi i një reforme të thellë, duke i mbetur besnikë fesë. “Besnikëria e Krishtit, besnikëri e meshtarit” është motoja e Atit të Shenjtë për këtë vit hiri. Është edhe motoja e një rruge, e një udhëtimi. Krejt formimi kishtar duhet të shohë vetëm Krishtin dhe duhet të vazhdojë të kthehet nga Krishti. Modeli është tepër i lartë, sublim, e kërkon kthimin e përditshëm të zemrave. Është besnikëri tërësore, që përfshin studimet, mënyrën e jetesës, ekzistencën dhe veprimtarinë. Besnikëri, që duhet të na bëjë vetëm të informojmë për të rejat në Kishë, pasi risitë e vërteta i sjell vetëm fryma e Shpirtit Shenjt, e jo bota. Shumë vjet më parë, dëgjoja për një ipeshkëv që në përfundim të audiencës me të Lumin Gjoni XXIII i tha: “Qoftë lëvduar Jezu Krishti”. Atëherë Papa i tha: “Shkëlqesi, tek ne në Bergamo a e dini si përgjigjet populli i mençur? Përgjigjet: “Gjithmonë e jetës qoftë lëvduar e nderuar e djalli qoftë shkatërruar”. Dua të them, se jemi në gjendje të fitojmë mbi djallin brenda nesh e tek të tjerët, vetëm nëse ndjekim Krishtin, dëshmitar besnik, e nëse i qëndrojmë besnikë së vërtetës e dashurisë së tij, edhe me çmimin e sakrificave të mëdha.







All the contents on this site are copyrighted ©.