2010-06-07 18:03:18

Lumnimi i atë Jerzhi Popielushkos, ditë e paharrueshme për Kishën në Poloni.


(07.06.2010 RV)Ishim simbolikisht të pranishëm, dje, në kremtimin solemn të Meshës së madhe në Varshavë, gjatë së cilës u shpall i Lum, një nga dëshmitarët më të njohur të fesë së krishterë në Poloni, gjatë diktaturës. Një martir, që jetoi e vdiq në kushte shumë të ngjashme me dëshmitarët tanë të fesë, 40 nga të cilët janë kandidatë për nderimet e elterit, ashtu si meshtari martir polak. E sigurisht edhe për Shqipërinë do të jetë ditë e paharrueshme, ajo që do të shikojë të shpallen të Lum, martirët e Kishës së kësaj toke, që derdhën gjakun “Për Fe e Atdhe”.
Dëshmia heroike e atë Jerzhi Popielushkos na mëson se regjimet kalojnë, po Kisha e bijtë e saj mbeten: ky është një nga fragmentet e homelisë, mbajtur nga kryeipeshkvi Anxhelo Amato gjatë Meshës me ritin e lumnimit të kapelanit të Solidarnosh, vrarë nga shkaku i urrejtjes për Kryqin e Krishtit, 26 vjet më parë. Kjo ngjarje, kaq emocionante për një popull me shumicë katolike, si ai polak, mblodhi rreth elterit 150 mijë besimtarë, që ndoqën një Meshë vërtet solemne, të bashkëkremtuar nga më se njëqind ipeshkvij e dymijë meshtarë.
Sheshi i madh Pilsudski i Varshavës ishte veshur për festë. Nën një qiell ngjyrë hiri, besimtarët, me rruzare në dorë, por edhe me flamujtë e Solidarnosh shpalosur në erë e me fotografinë e meshtarit martir, u lutën për atin e shumdashur Jerzhi. Në ceremoni, ndërmjet shumë përfaqësuesve të institucioneve shtetërore e kishtare, ishte e pranishme edhe nëna nëntëdhjetë vjeçare e atë Popielushkos, Mariana. “I lutem Zotit, mbi të gjitha”, u tha me thjeshtësi atyre, që e pyetën në se i kishte drejtuar lutjen të birit, pas Lumnimit. Kryeipeshkvi Kazimierz Nycz hapi kremtimin, duke e quajtur këtë ngjarje “ditë e madhe për Kishën e Polonisë e për atdheun”. Ndërsa prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, imzot Anxhelo Amato, foli për ngjarjet kryesore të jetës së meshtarit, vrarë në moshën 37 vjeçare, vetëm sepse po e shqetësonte pak si tepër regjimin komunist polak. Kryipeshkvi Amato e nisi homelinë, duke kujtuar fytyrën e meshtarit në çastin e vrasjes:
“Fytyra tmerrësisht e masakruar të këtij meshtari të butë, i ngjiste fytyrës së përgjakur të të Kryqëzuarit, që s’kishte më kurrfarë hijeshie”.
E pse gjithë ky mundim, pyeti prelati? Atë Jerzhi, pohoi, nuk ishte vrasës, as terrorist. Ishte meshtar i drejtë, që kumtonte Krishtin. Por Ungjilli, vërejti predikatari me dhimbje, nuk përkon me ideologjinë marksiste. Atë Popielushko, nënvizoi, ishte dëshmitar heroik i bukurisë e vërtetësisë së Ungjillit të Jezusit, Martir, që gjeti forcë në Zotin e pranishëm në Eukaristi. Me dëshminë e tij, pohoi kryeipeshkvi Amato, atë Popielushko u tregoi të gjithëve se regjimet dhe ideologjitë kalojnë si stuhitë e tërbuara të verës, duke lënë pas gërmadha fizike e shpirtërore, ndërsa feja e krishterë, me rrënjë në Ungjill, mbetet, për t’i dhuruar pambarimisht njerëzimit dashuri pa cak:
“Mesazhi i amshuar, që duhet ta bëjë të rrahë zemrën tonë sot, përballë rifillimit të persekutimeve kundër Ungjillit e Kishës, është ai që na propozon Ati i Shenjtë, si sintezë e dëshmisë së martirizimit të atë Popielushkos i cili, na kujton Papa, qe meshtar e martir, dëshmitar besnik e i palodhshëm i Krishtit: ai e mundi të keqen me të mirë, deri në derdhjen e gjakut!
Munde të keqen me të mirë! Këtë thirrje të Shën Palit zgjodhi atë Popielushko si moto të jetës së tij e të dëshmisë së tij ungjillore. Në një homeli, mbajtur në mars 1983, atë Jerzhi pohoi: “Të jemi të fortë në dashuri, duke u lutur për vëllezërit që gabojnë; pa e dënuar njeriun, por vetëm të keqen, së cilës e kemi për detyrë t’ia çjerrim maskën!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.