2010-06-07 17:23:55

Izraeli kundërshton përpjekjen për zbarkim në Gazë


(07.06.2010 RV)Rritet sërish tensioni në kufirin ndërmjet Izraelit e Rripit të Gazës, pasi marina e shtetit hebraik bllokoi një anije me palestinezë, të drejtuar për në veri. Pati ndeshje me armë dhe 4 palestinezë u vranë, ndërsa nuk dihet fati i një personi tjetër.RealAudioMP3
Sulmi ndodhi në agim, në detin para kampit të refugjatëve të Nuseiratit. Sipas Izraelit, në anije ndodhej një komando terroristësh, ndërsa sipas palestinezëve, personat ishin anëtarë të Brigadave të martirëve të Al Aksa, krahu i armatosur i partisë al Fatah. Në bord nuk kishte armë dhe personat po stërviteshin për një zbarkim të mundshëm në Izrael.
Ndërkaq, në frontin politik, pas bisedës me presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, zv.presidenti amerikan, Xho Bajden deklaroi se SHBA-të po kërkojnë rrugë të reja për të hequr bllokun izraelit nga Gaza. Nga ana e saj, Turqia ka njoftuar se normalizimi i marrëdhënieve me Tel Avivin është i pamundur, nëse Izraeli do të vazhdojë refuzimin e hetimit ndërkombëtar për sulmin kundër flotiljes humanitare, në lundrim drejt Gazës.
Ka filluar gara për të çuar sa më shumë anije humanitare në Gazë. Pas asaj irlandeze, është Gjysëmhëna e Kuqe iraniane që do të dërgojë, së shpejti, tri anijë me ndihma dhe një avion me 30 ton materiale sanitare. 8 mijë iranianë i janë përgjigjur thirrjes së organizatës për formimin e ekuipazhit. Edhe hebrenjtë evropianë kanë njoftuar nga Gjermania se do të dërgojnë një anije me ndihma, në një datë të pacaktuar, për t’u shpëtuar sabotimeve të mundshme. Ata kanë sqaruar se nuk janë dakord me politikën izraelite në Rripin e Gazës.
Për gjendjen, duke filluar nga ideja iraniane, të dëgjojmë opinionin e profesoreshës së historisë së Lindjes së Mesme në Univeristetin e Bolonjës, në Itali, Marçela Emiliani:
Pasdaranët, Gardistët e revolucionit iranian, duan të shfrytëzojnë momentin e izolimit të fuqishëm ndërkombëtar të Izraelit për të bërë provokime, duke u përzier me turmën e pacifistëve.
Ç’mendoni për afrimin aktual të Turqisë me Gazën? Ku do të na çojë?
Duhet të konsiderojmë një fakt shumë të rëndësishëm: ato bashkohen, duke u nisur nga përkatësia në fenë myslimane. Është e qartë se kryeministri turk Erdogan bën pjesë në një parti islamike dhe shumë marrëdhënie të qeverisë së Ankarasë bazohen pikërisht mbi këtë vëllazëri islamike. Të mos harrojmë se Turqia është vend i NATO-s, pra ka një peshë ndërkombëtare mjaft të madhe, që po e shfrytëzon për të vënë në dukje problemin e bllokimit të turpshëm të Rripit të Gazës, i cili ishte zhdukur nga përparësitë ndërkombëtare.
Sipas jush, Izraeli nuk do të ndryshojë mendim përsa i përket hetimit ndërkombëtar për sulmin kundër pacifistëve?
Izraeli nuk do të pranojë, në asnjë çast, me asnjë qeveri, një hetim ndërkombëtar në territorin e vet. Nuk është e rastit që SHBA-të janë dakord me hetimin, por vetëm nëse ai kryhet nga vetë izraelitët. Tashmë, në Izrael, nuk bëhet tjetër, veçse ngrihen komisione hetimore, që verifikojnë a ka qenë korrekte sjellja e ushtrisë së shtetit hebraik, në këtë, apo atë rast. Episodi i fundit ishte ai i operacionit “Plumbi i shkrirë”, pikërisht kundër Rripit të Gazës.
Pas kësaj krize, a mund të ndryshojë ekuilibri në Lindjen e Mesme?
Jo, ekuilibri nuk do të ndryshojë. Në këtë moment, problemi më serioz është se për SHBA-të, zgjidhja e konfliktit arabo-izraelit nuk është më përparësi. Gjatë fushatës zgjedhore, Obama premtoi të merrej me këtë çështje, por sapo mori detyrën, duke i lënë mënjanë problemet e brendshme, që nga kriza ekonomike tek nafta e derdhur në det, i dha përparësi Afganistanit dhe Irakut.







All the contents on this site are copyrighted ©.