2010-06-07 18:03:29

Fytyra e gjakosur e atë Popielushkon, na kujton fytyrat e martirëve tanë!


(07.06.2010 RV)Na kujton 40 martirët e njohur, e kush e di sa të tjerë, që i njeh veç Zoti, të cilët derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare, kryesisht gjatë diktaturës komuniste. fytyra e shpërfytyruar e martirit polak, atë Popielushko, që u lartua të dielën në nderimet e elterit. U munduan e u mbytën mizorisht nga shkaku i urrejtjes për Kryqin e Krishtit, prej kriminelëve të pandëshkuar! Hapja e procesit dioqezan, aq të pritur, për beatifikimin dhe kanonizimin e tyre, u shpall më 10 nëntor të vitit 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës.

Fytyra e shpërfytyruar e atë Jerzhit, që e fitoi rishtas hjeshinë në elter, na kujton fytyrat e shpërfytyruara, të martirëve shqiptarë, në çastet e torturave çnjerëzore e të vdekjes së dhunshme.
Na kujton fytyrën e imzot Vinçenc Prennushit, françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet i ëmbël, në çastin kur po vdiste në truallin e akullt të një biruce burgu, më 19 mars 1949, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Françesku, bir të cilit ishte, duke kërkuar më shumë dritë!
Na kujton Imzot Frano Gjinin, fytyra e të cilit, kur po pushkatohej, më 11 mars 1948, kishte pamjen e asaj të Zotit të Kryqëzuar, pas torturave, që ia kaluan çdo fantazie kriminale njerëzore, sepse nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa;
fytyrën e Imzot Jul Bonatit, që u mbyll, për torturë, në çmendinë, si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës;
Dom Alfons Trackit, priftit gjerman, të torturuar dhe të pushkatuar më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe;
fytyrën e Dom Anton Muzajt, që vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme, në moshën 29 vjeçare, i shpërfytyruar, pasi i kishin thyer këmbë e duar në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë;
fytyrën e Dom Anton Zogajt, që i kaloi ditët e mbrame të jetës i mbyllur në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-s
Dom Dedë Maçajt, akuzuar si spiun i Vatikanit, torturuar, gjykuar dhe pushkatuar për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç;
fytyrën e përgjakur të Dom Dedë Malajt, i cili mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike, që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij;
fytyrat e Dom Dedë Planit e të Dom Ejëll Dedës, në çastin kur po jepnin shpirt në një spital burgu, mbasi nuk pranuan asnjë akuzë e u bënë ballë heroikisht torturave më mizore;
fytyrën e Dom Jak Bushatit kur, i torturuar për vdekje, çohej në pushkatimin pa gjyq, më 12 shkurt 1949, të Atë Josif Papamihalit, duke u zhdukur ngadalë në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit;
fytyrën e Dom Zef Maksenit, meshtarit gjerman, në çastin e pushkatimit, duke shqiptuar fjalët: "Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit".
E, sidomos fytyrën e Dom Lazër Shantojës, të shpërfytyruar deri në atë gradë, pas sharrimit të këmbëve e të duarve me sharrë druri, sa vetë e ëma t’u kërkonte xhelatëve komunistë ta pushkatonin një orë e më parë.
Fytyra e shpërfytyruar e atë Jerzhit na kujton fytyrën e Dom Lekë Sirdanit e
Dom Pjetër Çunit në çastin kur vdisnin të varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza, ku humbën dalëngadalë, më keq se atë Josifi në baltat e kënetës.
E na kujton, me radhë, fytyrat e Dom Luigj Prendushit e të Dom Marin Shkurtit, arrestuar, torturuar e pushkatuar si spiunë të Vatikanit, pas torturave çnjerëzore; të Dom Mark Gjanit, shuar gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli; të Dom Mikel Beltojës, pushkatuar pas gjashtë muaj torturash, të Dom Ndoc Sumës, në sa mbyllte sytë mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu; të Dom Ndre Zadejës, priftit-poet, martir i parë, viktimë e diktaturës komuniste; të Dom Shtjefën Kurtit, në çastin e pushkatimit para banorëve të Gurëzit; të Atë Bernardin Palajt, kur vdiste me duar të gozhduara mbi një dërrasë, ku qe flakur, në sa po jepte shpirt nga tetanozi;
Atë Çiprian Nikës; Atë Gaspër Sumës,Atë Gjon Shllakut, pushkatuar së bashku me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik;
fytyrën e Atë Karl Serreqit, martirit të sekretit të rrëfimit; të Atë Mati Prendushit, që nuk i dihet as varri; Atë Serafin Kodës, në çastin kur po jepte shpirt, me fytin të shqyer nga thonjtë e hetuesve komunistë; të Vëlla Gjon Pantalisë, në sa vuante tmerre të papërshkrueshme; të Fran Mirakës, Qerim Sadikut, Gjelosh Lulashit, që u këputën nga plumbat në lule të jetës, veç pse e deshtën Krishtin.
fytyrën e rishtares së bukur stigmatine, Maria Tuci, të shndërruar në një grumbull mishi e gjaku. Ata e mundën të keqen me të mirë, deri në derdhjen e gjakut, duke na lënë po atë amanet, që u la polakëve, i Lumi atë Popielushko: “Të jemi të fortë në dashuri, duke u lutur për vëllezërit që gabojnë; pa e dënuar njeriun, por vetëm të keqen, së cilës e kemi për detyrë t’ia çjerrim maskën!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.