2010-06-06 17:38:09

Shtegtimi i Papës në Qipro: intervistë me atë Lombardin.


(06.06.2010 RV)Shtegtimi i Benediktit XVI në Qipro përfundoi. Sot Papa kujtoi posaçërisht Sinodin për Lindjen e Mesme, që do të mbahet në tetor, duke theksuar se Qipro ishte vend tejet i përshtatshëm reflektimi për bashkësitë katolike të Lindjes së Mesme. Ç’kuptim ka një theksim i tillë? Përgjigjet nga Qipro, drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi:

Përgjigje: - Po, sepse Qipro, si udhëkryq i Lindjes së Mesme, është edhe vendi i vetëm, ku mund të arrihet pa vështirësi nga të gjitha pikat e zonës. Prandaj ishte e natyrshme të niste këtu udha sinodale, që pastaj do të çojë në Romë, në muajin e tetorit; e tashmë patëm këtu, këto ditë, përfaqësues të bashkësive e të traditave të ndryshme katolike lindore e latine, të dërguar nga Papa për të thelluar bashkimin, për të rigjetur kuptimin e entuziazmin si bashkësi në botën e sotme, për të dhënë dëshminë e tyre, pa harruar se kanë nevojë të inkurajohen e të ndihmojnë njëra-tjetrën, duke qenë bashkësi pakicash që, në shumicën e rasteve, jetojnë në kushte të vështira. E megjithatë, kanë një mesazh për të transmetuar, për të cilin duhet të jenë krenare, sepse mund të jetë kontribut i madh edhe për dialogun me njerëzit e tjerë, qofshin myslimanë, hebrenj ose njerëz vullnetmirë, e po ashtu edhe me fetë tjera, në shoqërinë ku jetojnë.

Pyetje: - Edhe një pyetje. Republika e Qipros bën pjesë në Bashkimin Evropian, por si Kishë, ndjehet përsosurisht Lindore…

Përgjigje: - Po, por Evropa ka edhe një traditë lindore shumë të fortë. Kujtojmë se të gjitha vendet e lindjes evropiane kanë Kisha të traditës lindore e, prandaj, Ishulli është i integruar plotësisht në këtë realitet. Është vend, në të cilin kalimi nga perëndimi në lindje, nga tradita lindore në atë perëndimore, gjen shprehjen edhe në pozitën gjeografike. Por Kisha ortodokse e Qipros ka, për shembull, marrëdhënie shumë të mira edhe me Kishën Ortodokse të Moskës. Prandaj mund të luajë një rol të rëndësishëm në dialogun ndërmjet Kishave ortodokse e, kështu, shikohet si urë e vend takimi edhe me Kishën katolike si dhe me bashkësitë e tjera të krishtera.







All the contents on this site are copyrighted ©.