2010-06-06 17:36:30

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot 6 qershor, Kisha kremtoi të dielën e X gjatë vitit kishtar e po sot në shumë vende të botës kremtohet solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit. Gjithnjë më 6 qershor, kalendari Kishtar përkujton edhe festën e Shën Norbertit, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues i Kanonikëve Rregulltarë Premostratens; e Shenjtërve Artemi e Paolina, martirë dhe Shën Klaudio, abat e ipeshkëv,
Liturgjia e ditës na kujton se në bisedën që bëjnë saduçejtë e farizenjtë me Jezusin, gjejmë gjithnjë të vërteta të mëdha e sot, të vërtetën se Zoti është përherë i pranishëm në jetën tonë jo si gjykatës, as si padron, por si Atë që kujdeset gjithnjë për të bijtë.

Nesër e hënë 7 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Antonin Maria Gjanelli, ipeshkëv e themelues i Bijave të Marisë. E liturgjia e kësaj dite na kujton se njeriu nuk mund të shikojë në errësirë, se kërkon dritë e, prej këndej, se i krishteri, me shembullin e jetës së tij, është i thirrur të jetë dritë në errësirën e botës, që të gjithë të mund ta shikojnë Jezu Krishtin.

Shën Medardi, ipeshkëv i Nojonit, që Kisha do ta festojë të martën më 8 qershor, na kujton se feja dhe tradita janë dy çelësat, pa të cilët nuk mund ta hapim e ta lexojmë mesazhin ungjillor. Jezusi është njeri i ri, por që ecën në gjurmët e traditës së hebrenjve, bijve të besëlidhjes së parë.

Nuk ka rëndësi sasia e dhuratave, por cilësia e tyre: në se japim atë që nuk na duhet, ç’shpërblim meritojmë? Por në se dhurojmë me gjithë zemër atë që i duhet tjetrit, atëherë jeta jonë fiton vërtetë kuptim të ri. Këtë na kujton festa e Shën Efremit, diakon e doktor i Kishës, e Shën Primos (Prelës) dhe e Shën Feliçianit, martirë, që do të kremtohen të mërkurën më 9 qershor.

Të enjten më 10 qershor, kalendari kishtar kremton shën Landerikun, ipeshkëv i Parisit. Litugjia e kësaj dite na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh e shpërblen gjithçka.
 
Të premten e ardhsme më 11 qershor, do të kremtohet festa e Zemrës së Krishtit, që na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari e se atij që ecën pas Krishtit, nuk i mungon asgjë.
Po këtë ditë shënohet edhe festa e Shën Barnabës. Apostulli, që diti të kombinojë kulturën hebraike dhe atë helenistike, me të cilat u takua krishtërimi, duhet të shërbejë si shembull që meriton të ndiqet. Në një shoqëri si jona, në të cilën bashkëjetojnë shumë kultura, nuk duhet harruar se çdo i krishterë e ka për detyrë t’ua kumtojë gjithë vëllezërve shëlbimin e Zotit.
 
Të shtunë më 11 qershor do të kremtohet Zemra e Papërlyer e Zojës së Bekuar, e Gruas që e mëson çdo të krishterë ta ndjekë në heshtje Zotin e ta ruajë në zemër të vet gjithçka Jezusi bën ditë për ditë për të e për të gjithë njerëzit.
Po këtë ditë kalendari përkujton edhe festën e Shën Leonit III papë dhe e Shën Onufrit vetmitar, jeta e të cilëve u ndriçua gjithnjë nga drita e fytyrës së Zotit.

Të dielën e ardhshme më 13 qershor, Kisha kremton të dielën e 11-të gjatë vitit kishtar e po këtë datë bies edhe festa e Shëna Ndout të Padovës.
Kështu më 13 qershor, në të gjitha vendet antoniane: nga Portugalia, në Padovë, e në trevat shqiptare: në Laç të Sebastes, në Gjakovë, Tuz, Gusi, Binçë, Gllogjan dhe Braticë, do të nderohet Shëna Ndou i Padovës, françeskan e doktor i Kishës. Jeta e tij na kujton se për të qenë i krishterë i vërtetë, nuk mjafton t’i pranosh urdhërimet e Tënzot; duhet t’i jetosh ditë për ditë, i frymëzuar nga Shpirti i jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.