2010-06-06 18:12:45

Në Nikozi, Papa u takua me një prijës mysliman.


(06.06.2010 RV)Dje pasdite Papa u takua, në Nikozi, me një nga personalitetet islamike të Ishullit, Sheh Mohamed Nazim Abil Al-Hakanin, lider shpirtëror i një lëvizjeje sufi, 89 vjeç, tejet i impenjuar në dialogun ndërfetar. Papa e Shehu biseduan për disa minuta në mjediset e jashtme të nunciaturës apostolike, pas Meshës së djeshme në Kishën e Shenjtes Krygjë. Udhëheqësi sufì i tregoi Papës se jeton mbrapa Kishës, në pjesën veriore të Qipros e se ishte aty, pikërisht për ta pëshëndetur Benediktin XVI. Lypi të falur se po fliste i ulur: “Mos ma vini re, tha, se jam shumë plak”. E Papa iu përgjigj: “Edhe unë jam në moshë të shtyrë”. Nazimi, më pas, i dhuroi Atit të Shenjtë një bastun të stolisur me skena historike, skalitur në dru, një pllakë, në të cilën shkruheshin arabisht fjalë kushtuar paqes dhe një palë tespihe. Papa, nga ana e tij, i dhuroi një medalje. Pastaj u përqafuan me një gjest vërtetë prekës, vëllazëror. Nazimi, para se të ndahej me Atin e Shenjtë, i kërkoi të lutej për të. “Sigurisht, do ta bëj, i gjegji Papa, do të lutemi për njëri-tjetrin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.