2010-06-06 16:22:25

Nga Qipro, Papa lavdëron një virtyt: durimin.


(06.06.2010 RV)Ditën e parë të shtegtimit të tij apostolik, më 4 qershorin e kaluar, në sa vijonte fluturimin nga Roma, drejt Qipros, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Papa foli edhe për vrasjen e imzot Lugji Padovezes, në selinë e Iskenderun. Kjo vrasje - theksoi Ati i Shenjtë – nuk ka të bëjë fare me shtegtimin apostolik në Qipro, e as me fondamentalizmin islamik. Mbi të gjitha, nuk lëshon asnjë hije mbi vijimin e dialogut me Islamin.
Ati i Shenjtë e kujtoi ipeshkvin Padoveze, si një nga protagonistët e punës përgatitore për “Instrumentum Laboris” të Sinodit të ardhshëm për Lindjen e Mesme, të cilin Papa e dorëzoi pikërisht sot, në përfundim të shtegtimit në Qipro. Benedikti XVI shprehu bindjen se ky nuk është krim me sfond politik ose fetar.
E më pas, në telegramin e ngushëllimit për humbjen e prelatit, Papa ia porositi “shpirtin fisnik të këtij bariu të dashur, mëshirës së pafundme të Hyjit, Atit tonë që është në qiell, duke nënvizuar dëshminë pa kurrfarë interesi, në shërbim të Ungjillit dhe të impenjmit për dialog e pajtim, që prelati i ndjerë e pati në qendër të vëmendjes gjatë gjithë jetës meshtarake e misionit ipeshkvnor”.
Edhe për shtegtimin e tij, tashmë të përfunduar, Benedikti XVI nënvizoi se nuk ishte shtegtim politik, por me karakter krejtësisht fetar, vijim simbolik i shtegtimeve të kryera në Jordani, Izrael, në Territoret palestineze e në Maltë, me një qëllim të vetëm: për të kumtuar mesazhin e Krishtit, që domethënë, paqen në zonë. Një paqe, edhe politike, por pa harruar se pikërisht paqja është në qendër të mesazhit të Shën Palit. Natyrisht kjo fitore nuk arrihet sot me nesër. Duhet përgatitur, posaçërisht përmes edukimit të shpirtrarve. E kjo duhet bërë me durim, edhe kur vërtetohen episode të rënda e të dhunshme, si sulmi izraelit mbi “Flotiljen e paqes”, pak ditë më parë Përballë këtyre episodeve – nënvizoi, duke iu përgjigjur pyetjes, që iu drejtua pikërisht për këtë rast - duhet durim i madh. Duhet vijuar veprimtaria për arritjen e paqes! Papa nuk mund të japë këshilla të tjera, veç atyre fetare – saktësoi – e ndoshta edhe politike por, në këtë rast, jep vetëm një këshill: durim!
E për ta përfocuar këtë këshill, Benedikti XVI tregoi një episod nga jeta e Famullitarit Shenjt të Arsit. Mëkatarin, që vijonte t’i përsëriste se bie vazhdimisht në të njëjtin mëkat, Shën Gjon Vianej e këshillonte pikërisht të kishte durim e të vijonte ta luste Zotin.
Edhe ne - komentoi Papa – duhet të bëjmë të njëjtën gjë; t’i kërkojmë pa u lodhur Zotit dhuratën e paqes, pa e humbur kurrë durimin e duke vijuar t’i kundërvihemi dhunës. Kjo e fundmja – tha Papa – nuk mund të jetë kurrë rrugëzgjidhje, durimi edhe mund të jetë!







All the contents on this site are copyrighted ©.