2010-06-06 16:20:52

Asambleja e Posaçme e Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme.


(06.06.2010 RV)Kisha katolike në Lindjen e Mesme: bashkim e dëshmi!
“Turma e atyre që u bënë besimtarë, kishte një zemër të vetme e një shpirt të vetëm”(Vap 4,32)
Pas shtegtimit të tij në Tokën Shenjte (8-15 maj 2009), më 18 shtator 2009, Benedikti XVI njoftoi se, gjatë takimit me Patrikët dhe Ipeshkvijtë e Mëdhenj të Lindjes, do të thërriste një Asamble të Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme. Takimi do të mbahet nga 10 deri më 24 tetor 2010. Një nismë e tillë buron nga shqetësimi i Pasardhësit të Shën Pjetrit “për të gjitha Kishat” (2 Kor 11.28) dhe përbën një ngjarje të rëndësishme, që dëshmon interesimin e Kishës universale për Kishat e Zotit në Lindje. Këto Kisha janë të thirrura ta jetojnë thellësisht një ngjarje të tillë, që pritet ta mbushë me hir gjithë jetën e të krishterëve të Lindjes.
Qëllimi i Asamblesë së Posaçme për Lindjen e Mesme është i dyfishtë: t’i përfocojë të krishterët në fe, të thellojë identitetin e tyre, përmes Fjalës së Zotit e Sakramenteve dhe të gjallërojë bashkimin kishtar ndërmjet Kishave të veçanta, që të japin dëshmi të mirëfillta, të gëzueshme e tërheqëse të jetës së krishterë. Kishat tona katolike nuk janë vetëm në Lindjen e Mesme; atje janë edhe Kishat Ortodokse e Bashkësitë Protestante. Përmasa ekumenike është themelore. Pa të, dëshmia e krishterë nuk mund të jetë e vërtetë dhe e besueshme, “sepse të gjithë duhet të jenë një gjë e vetme, që bota të besojë” (Gjn. 17,21).
Veç kësaj, është e nevojshme edhe të fuqizohet bashkimi në të gjitha nivelet: brenda secilës Kishë katolike të Lindjes, ndërmjet të gjitha Kishave katolike e edhe me Kishat e tjera të krishtera. Duhet thelluar dëshmia, që u japim hebrenjve, myslimanëve, besimtarëve të tjerë e jo besimtarëve.
Sinodi na krijon edhe kushtet për të njohur hollësisht situatën fetare e shoqërore, që t’u japim të krishterëve mundësinë ta kuptojnë sa më qartë domethënien e pranisë së tyre në shoqëritë arabe, izraelite, turke ose iraniane; rolin e tyre e misionin e tyre në secilin nga këto vende, duke i përgatitur, kështu, të jenë dëshmitarë të vërtetë të Krishtit. Është fjala, pra, për një reflektim mbi situatën e pranishme, situatë që nuk është aspak e lehtë, sepse e ngarkuar me konflikte, mungesë stabiliteti e pjekurie politike dhe shoqërore, në shumicën e vendeve tona.

Nga “Lineamenta” e Sinodit, botuar më 19 janar 2010.

Këshilli Parasinodal përbëhet nga 7 patrikët e gjashtë Kishave Lindore Katolike sui juris dhe nga patriku i Jeruzalemit; nga katër kryetarët e dikastereve të Kuries Romake më të interesuara për temën e Asamblesë sinodale dhe nga kryetarët e konferencave ipeshkvnore të Turqisë e të Iranit, si dhe nga sekretari i Sinodit të Ipeshkvijve, imzot Nikola Eteroviç.
Më 24 prill 2010 Benedikti XVI emëroi katër anëtarët e Këshillit të posaçëm për Sinodin.
Janë: Fortlumturia e Tij, Nasrallah Pierr Sfeir, Patrik i Antokisë së Maronitëve (Liban); Fortlumturia e Tij, kardinali Emanuel Deli, Patrik i Babilonisë së Kaldejve (Irak); Kardinali Leonardo Sandri, Prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, kryetar- delegat;
Fortlumuria e Tij, Antonios Naguib, Patrik i Aleksandrisë së Koptëve (Egjipt), është referues i përgjithshëm dhe imzot Jozef Sueif, kryeipeshkëv i Maronitëve të Qipros, sekretar i përgjithshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.