2010-06-05 17:04:42

Shën Barnaba: ungjillëzues i Qipros.


(05.06.2010 RV)Ungjillëzuesi i Qipros është Shën Barnaba, edhe ai vetë qipriot. Nga “Veprat e Apostujve” mësojmë se udhëtoi dy herë në Qipro: “Barnaba” e Sauli, të dërguar prej Shpirtit Shenjt, zbritën në Seleuci e, prej andej, lundruan për Qipro. Kur arritën në Salaminë, filluan të predikojnë fjalën e Hyjit në sinagogat e judenjve...” (Vap 13, 3-5). “... Barnaba mori me vete Markun e shkoi me barkë në Qipro, kurse Pali mori me vete Silën dhe, i porositur hirit të Zotit prej vëllezërve, e përshkoi Sirinë e Cilicinë, duke i përforcuar Kishat” (Vap. 15-39-41). Barnaba u mbyt me gurë e u varros pranë qytetit të Salaminës, ku varri i tij vijon të nderohet edhe sot e kësaj dite në një nga kapelat e manastirit, me emërin e tij. Në shekullin V Kisha e Qipros zinte vendin e gjashtë për rëndësi, pas Romës, Kostandinopojës, Aleksandrisë, Antiokisë e Jeruzalemit. Rëndësinë e kësaj Kishe e dëshmon prania e një numri të madh ipeshkvijsh qipriotë në Koncilet e para të krishterimit si dhe gjetja e gjurmëve të 90 kishave e bazilikave paleokristiane. Koncili III Ekumenik i Efezit (431) dhe Koncili në Truli (692) njohën formalisht pavarësinë e Kishës në Ishull.







All the contents on this site are copyrighted ©.