2010-06-05 06:33:25

Më 5 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Bonifacin, ipeshkëv e martir


(05.6.2010 RV)Pa veprimtarinë misionare të Shën Bonifacit, Apostull i gjermanëve, ipeshkëv e martir,nuk do të kishte qenë i mundur organizimi politik e shoqëror evropian i Karlit të Madh. Bonifaci ose Winfridi duket se i përkiste një familjeje fisnike angleze të Devonshirit, ku edhe lindi rreth vitit të largët 673. Data nuk është e sigurtë, sepse disa nga studiuesit e jetës së tij shënojnë si datëlindje vitin 680.


Para se të niste veprën e lumnueshme të ungjillëzimit të popullsive gjermanike të përtej lumit Ren, praktikoi rregullin murgar në abacinë e Exeter-it e të Nursling-ut. Si kapërceu vështirësitë e para, ia doli mbanësh ta përshkonte gjithë territorin gjerman vetëm për tri vjet. Pas kësaj veprimtarie të ethshme, duke pasur parasysh vështirësitë e kohës, u thirr në Romë nga Papa, u shugurua ipeshkëv dhe mori emrin e ri Bonifac.


Para se ta organizonte Kishën në bregun e djathtë të Renit, mendoi të themelonte, ndërmjet zonës së Hessen-it e të Turingjisë, një abaci, që u bë qendër me rëndësi të dorës së parë e përshpirtërisë dhe e kulturës fetare në Gjermani. Lindi kështu abacia e famshme e Fuldës. Si seli ipeshkvnore zgjodhi qytetin e Maincit (Meinz)..


Pak vjet më parë, kur në Fuldë të Gjermanisë u kremtua 1250 vjetori i vdekjes së Shën Bonifacit, Papa Gjon Pali II u pati drejtuar gjermanëve një Mesazh, përmes të cilit i inkurajonte të ndjekin shembullin e këtij njeriu me besim të patundur, të këtij rregulltari me fe të gjallë ndërmjet vështirësive të panumërta, të këtij ipeshkvi, që dha jetën për e duke predikuar fjalën e Ungjillit.


Figurë e ndritur dhe e dashur për Kishën katolike gjermane, Shën Bonifaci është varrosur në Fuldë, sipas dëshirës së tij, pasi u mbyt nga paganët më 5 qershor në vitin 754, në moshën 80 vjeçare.

E martirizuan sepse shqetësonte shumëkënd me shenjtërinë e misionin e tij, sepse as lodhja, as mosha e as kërcënimet nuk e patën përkulur, por pati mbetur predikatar i zjarrtë e i palodhur i
fjalës së Krishtit, shembull i ndritur për Kishën katolike gjermane e universale.

Papa në audiencën e përgjithshme të 12 marsit 2009, foli për Shën Bonifacin, ipeshkëv
(12.03.2009 RV) Në qendër të vëmendjes në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ishte figura e Shën Bonifacit, ipeshkëv që jetoi në shekullin VIII.


Pra katekizmin e sotëm Benedikti XVI ia kushtoi pikërisht këtij njeriu, që në kohët e tij pati punuar, e me sukses, për një shoqëri paqësore, të drejtë, ku duhet të mbretëronte pajtimi, që buron nga vlerat e krishtera. Duke folur për ipeshkvin anglosakson, Shën Bonifacin, i cili jetoi 1300 vjet më parë, Papa Benedikti XVI e quajti “misionar i madh”, që predikoi Ungjillin në Evropën qendrore me rezultate të tilla, sa të mbetej në kujtesën e njerëzimit si ‘apostull i gjermanëve”.
Ai shartoi në trungun e popujve gjermanikë një stil jete më njerëzor, falë të cilit respektoheshin më mirë të drejtat e patjetërsueshme të njeriut (…). Duke e krahasuar fenë e tij të flaktë e zellin e tij për Ungjillin me fenë tonë, tepër shpesh të vaktë e të burokratizuar, shohim ç’duhet të bëjmë e si duhet ta përtërijmë fenë tonë, për t’i dhuruar kohëve tona, margaritarin e çmuar të Ungjillit”.

Falë këtyre cilësive të mëdha prej apostulli, të cilave u shtohej edhe një kulturë e rafinuar dhe e gjithanshme, Bonifaci kërkoi e mori leje nga Papa Gregori, i cili e shuguroi ipeshkëv, të nisej për të predikuar Ungjillin në qendër të Evropës, duke hequr dorë nga qetësia e nga studimet e jetës monastike. Nisi kështu një veprimtari të palodhshme, i mbështetur prej murgjërve e murgeshave, nga përshpirtëria e të cilëve vinte e për të cilët themeloi manastire të reja. Ky përkushtim e kjo besnikëri e pacenueshme ndaj Selisë Apostolike, ia ndryshuan faqen Evropës:


“Fryt i këtij impenjimi qe fryma e fuqishme e lidhjes rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit, që Bonifaci ua transmetoi Kishave të territorit të misionit, duke bashkuar me Romën Anglinë, Gjermaninë, Francën e duke kontribuar, kështu, në mënyrë vendimtare, për hedhjen e atyre rrënjëve të krishtera të Evropës, që do të prodhonin fryte të begata në shekujt e më pasmë”.

Shën Bonifaci vdiq martir në vitin 754: por nuk vdiq zelli i tij e stili i tij baritor, në qendër të të cilit ishte gjithnjë Fjala e Hyjit, e as predikimi i tij i pareshtur, që e vijoi deri në moshë të shtyrë. Një stil – pohoi Papa – që u kujton besimtarëve të sotëm se krishterimi, duke favorizuar përhapjen e kulturës, luan një rol të dorës së parë në përparimin e njeriut.
E pikërisht mbi zellin e Shën Bonifacit vuri theksin Papa gjatë përshëndetjeve drejtuar grupeve të ndryshme dioqezane, të pranishme në audiencë, duke e treguar si shembull që meriton të ndiqet, posaçërisht në këtë kohë Krezhmësh:

Miq të dashur, kjo koha jonë, në të cilën nuk mungojnë hijet, duhet ndriçuar nga dielli i gjallë i shpresës, nga Krishti, shpresa jonë. Ai premtoi se do të rrinte gjithnjë me ne e ne e ndjemë praninë e tij në mënyra nga më të ndryshmet. E keni për detyrë ta kumtoni e ta dëshmoni dashurinë e panjollë, që na shoqëron në çdo situatë. Mos u lodhni kurrë s’i besuari Krishtit e s’e përhapuri Ungjillin e tij në çdo mjedis”.







All the contents on this site are copyrighted ©.