2010-06-05 18:18:28

Kryqi i Krishtit është triumfi përfundimtar i dashurisë së Zotit mbi të këqiat e botës: kështu Benedikti XVI në meshën me meshtarët, rregulltarët e lëvizjet katolike të Qipros.


(05.06.2010 RV)Pasdite, Benedikti XVI kremtoi Meshën e Shenjtes Krygjë (tipike në Lindje) me meshtarët, rregulltarët, diakonët, katekistët e lëvizjet katolike në kishën me të njëjtin emër në Nikozi, në kufirin ndërmjet dy Qiprove, mund të themi: asaj greko-qipriote dhe asaj turko-qipriote, aty ku ndeshen e përqafohen dy kultura e dy fe të ndryshme, krishterimi dhe islami. Homelia e Papës u përqëndrua pikërisht te Kryqi. Shumë na pyesin ne të krishterëve, tha Ati i Shenjtë - i cili në Nunciaturën Apostolike u takua me një eksponent të bashkësisë islamike, që jeton mbrapa kishës së Shenjtes Krygjë, në pjesën veriore – se pse kremtojmë Kryqin e Krishtit, mjet torture e vuajtjeje, shenjë dështimi e mundimi. E megjithatë, Kryqi është simboli më i qartë i shpresës, që bota ka parë ndonjëherë, theksoi Papa:RealAudioMP3
“Kryqi nuk është thjesht një simbol privat devocioni, nuk është distinktiv përkatësie në ndonjë grup brenda shoqërisë, dhe kuptimi i tij më i thellë nuk ka të bëjë aspak me imponimin me forcë të ndonjë besimi, apo filozofie. Flet për shpresë, flet për dashuri, flet për fitoren pa dhunë mbi shtypjen, flet për Zotin që ngre të përvujtët, u jep forcë të dobtëve, bën që të kapërcehen vështirësitë e bën të fitojë dashuria mbi urrejtjen. Një botë pa kryqin do të ishte një botë pa shpresë, një botë ku tortura dhe brutaliteti nuk do të kishin kufij, ku i brishti do të shfrytëzohej e ku smira do ta kishte fjalën e fundit”.
Njeriu nuk mund të shpëtojë me forcat e veta, tha Papa. Vetëm Zoti mund ta shpëtojë nga skllavëria morale e fizike. E duke i kujtuar klerit të pranishëm se mesazhi i Kryqit u është besuar pikërisht meshtarëve e rregulltarëve për t’i ofruar shpresë botës, Benedikti XVI theksoi edhe një herë diçka, që e ka përsëritur shpesh kohët e fundit:
“Kur shpallim Krishtin e kryqëzuar, nuk shpallim vetveten, por Atë. Nuk i ofrojmë dijen tonë botës, nuk flasim për meritat tona, por shërbejmë si kanale të dijes, të dashurisë e të meritave të Tij shëlbuese. …Ta pranojmë gjithnjë se jemi të padenjë, por, njëkohësisht, të përpiqemi gjithnjë të bëhemi më pak të padenjë për thirrjen tonë fisnike, që të mos e dobësojmë me gabimet e fajet tona besueshmërinë e dëshmisë sonë”.
Në kontekstin e Vitit Meshtarak, Ati i Shenjtë e inkurajoi klerin t’i mbetet besnik thirrjes dhe përmendi veçanërisht meshtarët e rregulltarët e Lindjes së Mesme, ku të krishterët janë pakicë e ku u duhet të dëshmojnë më me guxim Krishtin:
“Për shkak të vështirësive që hasin bashkësitë e krishtera, si pasojë e konflikteve dhe e tensioneve në zonë, shumë familje vendosin të largohen e barinjtë e tyre mund të tundohen për të bërë të njëjtën gjë. Në situata të tilla, meshtari, bashkësia kishtare apo famullia që qëndron e fortë dhe vazhdon të dëshmojë Krishtin, është shenjë e jashtëzakonshme shprese jo vetëm për të krishterët, por për të gjithë banorët e rajonit. Thjesht prania e tyre është shprehje e qartë e Ungjillit të paqes”.
Nesër, dita e fundit e udhëtimit të 16-të apostolik të Papës Benedikti XVI në Qipro karkaterizohet nga një takim i rëndësishëm. Gjatë Meshës në Nikozi, Ati i Shenjtë do t’u dorëzojë ipeshkvijve “Instrumentum Laboris”, dokumentin përgatitor për Sinodin e Lindjes së Mesme, që do të zhvillohet në tetor, në Vatikan. Papa Racinger do të vizitojë katedralen maronite të Zojës së Hireve dhe nga aeroporti i Larnakës, do të kthehet në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.