2010-06-04 13:40:12

Shtegtimi apostolik i Benediktit XVI në Qipro: programi.


(04.06.2010 RV)Shtegtimi apostolik i Benediktit XVI në Qipro, i 16-ti i papnisë, do të ketë dy ngjarje kryesore: vizitën në Kishën e Qipros; takimin me bashkësitë e ndryshme: Ortodokse, Maronite, Latine, Armene dhe botimin e ‘Instrumentum Laboris’ për Asamblenë e posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, që do të mbahet në Vatikan, nga 10 deri më 24 tetor 2010, me temë: “Kisha katolike në Lindjen e Mesme: Bashkim e dëshmi”.
Shtegtimi filloi sot, më 4 qershor, me ceremoninë e mirëseardhjes, në Aeroportin Ndërkombëtar të Paphos e vijoi me kremtimin ekumenik në zonën arkeologjike të Kishës së Agia Kiriaki Chrysopolitisa (Paphos).

Më 5 qershor Papa do ta vijojë veprimtaritë, duke u takuar me autoritetet civile dhe me Trupin Diplomatik, në kopshtin e madh të Pallatit presidencial të Nikozisë.
Më pas, takimi me Bashkësinë katolike të Qipros, në Fushën sportive të shkollës fillore të Shën Maronit, në Nikozi; vizita e mirësjelljes Fortlumturisë së Tij Chrysostomos II, Kryepeshkop i Qipros, në kryepeshkopatën ortodokse të Nikozisë dhe Mesha Shenjte me meshtarët, rregulltarët, rregulltaret, diakonët, katekistët dhe anëtarët e Lëvizjve Kishtare, në Kishën famullitare latine të HolyCros ( Shenjtes Krygjë)

Të dielën më 6 qershor, Papa do të kremtojë, në Pallatin e Sportit Elefteria, Meshën Shenjte, me rastin e botimit të ‘Instrumentum Laboris’ (Planit të punës) për Asamblenë e posaçme të Sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme. Po këtu, edhe kremtimi i Engjëllit të Tënzot.
Më pas vizita në Katederalen maronite të Qipros dhe ceremonia e lamtumirës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Larnakës.







All the contents on this site are copyrighted ©.