2010-06-04 17:21:01

Papa në Pafo: Kisha Katolike e Kisha Ortodokse e Qipros, urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit, impenjohen të ecin në rrugën e dialogut e të bashkëpunimit vëllazëror.


(04.06.2010 RV)Në orët e para të pasdites, Benedikti XVI shkoi në kishën e Agìa Kiriakì Chrysopolitissa, vend kulti ortodoks, i hapur edhe për katolikët e anglikanët. Për ta pritur, te shkallët e Kishës kishte dalë famullitari i bashkësisë latine, atë Elias. Pranë kësaj Kishe ngrihet “Shtylla e Shën Palit”, objekt devocioni popullor. Sipas gojëdhënave, shtylla u vendos në atë vend, ku Pali u ndesh me Elimin, magjistarin, dhe e detyroi të hiqte dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Zotit” (Vap 13, 5-12).RealAudioMP3
Papa hyri në Kishë, ku e prisnin disa meshtarë e rregulltare të klauzurës, dhe u lut në heshtje para Ikonostasit. Pastaj, duke kaluar nëpër sakresti, doli nga porta qendrore e Kishës, përballë së cilës ishte ngritur podiumi, ndërsa besimtarët ishin mbledhur në zonën arkeologjike. Kremtimi ekumenik filloi me përshëndetjen drejtuar Benediktit XVI nga kryepeshkopi ortodoks i Qipros, Krizostomos II e, më pas, me leximin e Shtegtimit të parë të Shën Palit e të Shën Barnabës, në këto vise, (Vap 13,1-12), ku sot shkeli për herë të parë këmba e një pasardhësi të Shën Pjetrit.
Pas Leximit, fjala e Benediktit XVI, i cili u drejtoi besimtarëve përshëndetjen e parë në gjuhën greke: “Paçi hir e paqe të plotë”(1Pt 1,2), duke shprehur, kështu, gëzimin për praninë e tij në mes të bashkësive të krishtera në Ishull.
Pastaj- falënderimet e përshëndetjet, drejtuar Fortlumturisë së Tij, Krizostomi II, Hirësisë së Tij, Gjorgj, Metropolit i Pafos si dhe gjithë të krishterëve të konfesioneve të ndryshme, duke përfshirë besimtarët e bashkësisë armene, luterane e anglikane, mbledhur me shumicë rreth Papës. Hir i vërtetë, e quajti Benedikti XVI, bashkimin e besimtarëve për t’u lutur së bashku në Kishën e Agìa Kiriakì, Zonjës së Shenjtë të Mbështjellë me Ar.
Pastaj, Benedikti XVI u përqendrua kryesisht tek komenti i Leximit të fragmentit, shkëputur nga Veprat e Apostujve (cfr At 13,1-4), që flet për zanafillën apostolike të krishterimit në Ishull.
Kisha e Qipros ka plotësisht të drejtë të jetë krenare për lidhjen e saj me predikimin e Palit, të Barnabës e të Markut, si dhe për bashkimin në fenë apostolike, e cila e lidh me të gjitha Kishat, që ndjekin të njëjtin rregull të fesë:
“Ky është bashkimi, real, ndonëse i pakryer, i cili tashmë na afron, na nxit t’i kapërcejmë përçarjet tona e të luftojmë për të rikrijuar bashkimin e plotë, të dukshëm, që e desh vetë Zoti për ndjekësit e Tij, të cilët duhet të jenë “një trup i vetëm e një shpirt i vetëm”.
“Bashkimi kishtar në fenë apostolike është dhuratë, por edhe thirrje për mision. Në fragmentin që lexuam – vijoi Ati i Shenjtë – shikojmë figurën e unitetit të Kishës në lutjen e në gatishmërinë për t’iu përgjigjur shtytjeve të Shpirtit Shenjt për mision. Ashtu si Pali e Barnaba, çdo i krishterë, përmes pagëzimit, është i caktuar të kumtojë dëshminë profetike të Zotit të ngjallur dhe lajmin e tij të pajtimit, të mëshirës e të paqes:
Në rrethana të tilla, Asambleja e Posaçme e Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, që do të mblidhet në Romë, tetorin e ardhshëm, do të reflektojë mbi rolin jetik të të krishterëve në zonë, do t’i inkurajojë të japin dëshminë e tyre për Ungjillin e do t’i ndihmojë të punojnë me frymën e dialogut e të bashkëpunimit ndërmjet gjithë të krishterëve të zonës”.
Kuptimplotë fakti – vijoi të shpjegonte Papa- që punimet e Sinodit do të pasurohen me praninë e delegatëve vëllezër të Kishave e të bashkësive të tjera të krishtera të zonës, si shenjë e impenjimit të përbashkët në shërbim të fjalës së Zotit e në përpjekjen për t’ia hapur zemrat Hirit të tij, që pajton. Më pas Ati i Shenjtë theksoi se bashkimi i dishepujve të Krishtit është dhuratë, që duhet lypur me lutje nga Ati Hyjnor, me shpresë që të forcojë dëshmimin e Ungjillit në botën e sotme e me vetëdijen se vetë Zoti u lut për shenjtërinë dhe bashkimin e dishepujve të vet, pikërisht që bota të besojë.
Benedikti XVI përkujtoi edhe një ngjarje vërtet të rëndësishme për bashkimin e të krishterëve: njëqind vjetorin e Konferencës Misionare të Edimburgut, përmes së cilës zu fill lëvizja ekumenike. Kjo lëvizje, posaçërisht në dhjetëvjeçarët e fundit, i nxiti të krishterët të rizbulojnë trashëgiminë e pasur apostolike të Lindjes e të Perëndimit dhe, përmes një dialogu durimtar e të sinqertë, të gjejnë rrugë të reja për t’u afruar me njëri-tjetrin, duke i kapërcyer grindjet e së kaluarës e duke shikuar drejt një ardhmërie më të mirë:
“Kisha e Qipros – theksoi Benedikti XVI – që dëshmon se është urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit, ka dhënë një ndihmesë të çmuar në këtë proces pajtimi. Udha, që çon drejt objektivit të bashkimit të plotë - kujtoi me realizëm të thellë Ati i Shenjtë - nuk do të jetë, sigurisht, pa vështirësi, por Kisha Katolike e Kisha Ortodokse e Qipros impenjohen të ecin përpara në udhën e dialogut e të bashkëpunimit vëllazëror”.
E Benedikti XVI iu lut Shpirtit Shenjt të fuqizojë hapat, të ndriçojë mendjet e të forcojë vendosmërinë e të dyja palëve, për t’ua kumtuar së bashku burrave e grave të kohëve tona, lajmin e mirë të shëlbimit.
Në përfundim, Ati i Shenjtë kujtoi shenjtorët, që stolisin Kishën e Qipros, posaçërisht Shën Epifanin, ipeshkëv i Salaminës, duke theksuar se shenjtëria është përpjekje për t’i përngjarë sa më shumë Krishtit, Shëlbuesit tonë. E ndërsa falënderonte Zotin për takimin e sotëm, Papa iu lut Shenjtorëve Barnaba e Epifani, Pjetri e Pali dhe të gjithë shenjtorëve të Zotit, t’i bekojnë bashkësitë e krishtera, t’ua ruajnë fenë, që morën nga apostujt e t’u prijnë në udhën e bashkimit të plotë, të dashurisë së krishterë e të paqes.

Pas kremtimit Benedikti XVI hyri përsëri një çast në sakresti, ku bekoi pllakën përkujtimore të një shtëpie për të moshuar, realizuar nga bashkësia katolike latine e Pafos. Duke dalë nga sakrestia, disa fëmijë kapërcyen gardhin e vënë rreth podiumit të kremtimit e, pa i përfillur forcat e rendit, e rrethuan me dashuri të madhe Atin e Shenjtë, të lumtur që mundën t’i puthin dorën e të marrin nga ai përkëdheljet dhe bekimin atëror. Pas kësaj ngjarjeje kaq të këndshme, Papa Benedikti u nis për në Nikozi e, në sa ne transmetojmë, ndodhet në nunciaturën apostolike, në kompleksin e Kuvendit françeskan të Shenjtes Krygjë, pronë e Rojtarisë së Tokës Shenjte. Kompleksi përfshin Kishën-famulli të bashkësisë latine, me të njëjtin emër. Ndërtesa ndodhet në zonën e kontrolluar nga Kombet e Bashkuara dhe kufizohet në tri anët me zonën e veriut të ishullit, që u vetshpall “Republika e Qipros së Veriut”, më 1983.
Në Nikozi nesër, më 5 qershor, Papa do të takohet me autoritetet civile dhe me Trupin Diplomatik, me bashkësinë katolike të Qipros, me Fortlumturinë së Tij, Chrysostomos II, Kryepeshkop i Qipros dhe me meshtarët, rregulltarët, rregulltaret, diakonët, katekistët e anëtarët e Lëvizjeve Kishtare, në Meshën Shenjte, që do ta kryesojë në Kishën famullitare latine të Holy Cros (Shenjtes Krygjë).
Ju ftojmë ta ndiqni, së bashku me ne!







All the contents on this site are copyrighted ©.