Nënë Tereza ikonë e paqes dhe e dashurisë, në Shqipëri mbahet një Konferencë përkujtimore
(05.6.2010 RV)Konferencë përkujtimore në Shqipëri për ikonën e paqes e të dashurisë,
Nënë Tereza Në nderim të ikonës unikale të dashurisë dhe të paqes në botë Nënë
Terezës, nën kujdesen e veçantë të Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha u organizua
sot konferenca përkujtimore me temë "Nënë Tereza në 100- vjetorin e saj të lindjes"
në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Në konferencën
me temë shkencore, personalitete të artit, feve dhe institucioneve të ndryshme në
vend, sollën jetën e së Lumes Nënë Terezë dhe vlerat e veçanta njerëzore e shpirtërore,
që përshkruan të gjithë jetën e saj, ndërsa më pas, u organizuan edhe disa aktivitete
artistike. Viti 2010, i cilësuar si "Vit i Nënë Terezës", do të sjellë një
seri aktivitetesh si, panaire, ekspozita, filma dokumentarë, konferenca shkencore
dhe vënien në skenë të një drame nga Teatri Kombëtar për Nënë Terezën, në 100 vjetorin
e saj të lindjes. Ndërsa në ditën e përkujtimit të lumturimit të saj në Vatikan në
19 Tetor 2003, në Tiranë do të organizohet Festivali Ndërkombëtar i Koreve, me pjesëmarrjen
e koreve nga vende të Evropës. "Me misionin bamirës të dashurisë që ndërmori
përgjatë gjithë jetës së saj, Nënë Tereza nuk i përket më thjesht vetëm kishës, kulturës,
kujtesës dhe ndërgjegjes së bashkëkombësve të saj, por është shndërruar në një ikonë
paqeje e dashurie për mbarë njerëzimin", u shpreh Ministri i MTKRS, Ferdinand Xhaferaj.
Sipas tij, "mesazhi i madh i së Lumes Nënë Terezë e kapërcen kornizën e epokës ku
ajo jetoi, pasi përmes misionit të saj ajo ka qenë me mendje dhe zemër të saj njerëzore
e bujare përtej çdo sistemi dhe përtej çdo epoke. Nënë Tereza ka ushqyer kudo kaq
shumë mirësi, paqe, dashuri, aq sa kjo botë e madhe postmoderne pa madhështinë e saj,
do të ishte e mangët". Kryeipeshkvi i Shkodrës, imzot Angelo Masetti, vlerësoi
se "Nënë Tereza ka realizuar në jetën e vet atë qytetërim të dashurisë për të cilin
ka folur dhunë herë Papa Gjon Pali i II-të" e për çka shoqëria e sotme shqiptare ka
shumë nevojë. "Duke ndjekur shembullin e saj, edhe ne duhet të ndjekim rrugën
që na çon tek ndërtimi i qytetërimit të dashurisë, dhe për ne e politikanët shqiptarë,
e Lumja Nënë Terezë është një shembull, që na nxit të kujdesemi për të gjitha shtresat
më të varfra të shoqërisë", tha imzot Massafra. "Kur flasim për Nënë Terezën
dy fjalë më vijnë në mendje, kurajo dhe guxim" tha Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale
Ortodokse të Shqipërisë, Anastas Janullatos. Sipas tij, "jeta e saj ishte
një rrugë plot me vendosmëri dhe guxim, ishte vetëm 18 vjeç kur vendosi ti përkushtohet
plotësisht Krishtit, dhe po me të njëjtin guxim vendos të shkojë në Kalkutë ku punoi
në fillim si mësuese, dhe në 1950 themelon një vëllazëri të re misionare vëllazërinë
e dashurisë". Ndërsa Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat
Bardhi, nëpërmjet një mesazhi lexuar nga përfaqësuesi të Kryegjyshatës së Bektashinjëve,
tha se, " Nënë Tereza kjo nënë e madhe e sakrificës do të mbetet gjithmonë e paharruar
në kujtesën e miliona besimtarëve dhe njerëzve në nevojë". Në konferencë
folën edhe studiues e poetë, që ngritën lart figurën e Nënë Terezës. Profesor Anton
Nik Berisha, shkrues i shumë botimeve për Nënë Terezën tha se, "për të shkruar për
të duhet të kesh njohuri për punët e saj si dhe të kesh një shpirt që i afrohet shpirtit
të Nënë Terezës, që gjatë gjithë jetës së saj, iu përkushtua tërësisht njeriut dhe
veçanërisht qenieve më të varfra duke u kujdesur e duke vuajtur bashkë me ta".
Konferenca përkujtimore "Nënë Tereza në 100 vjetorin e saj të lindjes", vijoi më tej
me vargje dhe citime të saj nga aktoret Tinka Kurti (Artiste e merituar) dhe Ema Andrea.
Në nderim të figurës së shqiptares Anjezë Gonxhe Bojaxhi u çel sot edhe ekspozita
'Nënë Tereza në Shtypin Shqiptar", përgatitur nga Mehmet Gëzhilli. Ekspozita
përmbante fotografi të Nënë Terezës, realizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare
(ATSH), si dhe piktura të piktorëve të ndryshëm, si Lin Delija, Anton Gaslliqi, etj.
Gjithashtu në ekspozitë u ekspozuan shkrime dhe artikuj nga mediat shqiptare
dhe të huaja për Nënë Terezën, si dhe botime nga autorë të huaj e shqiptarë për humanisten
më të madhe të mbarë njerëzimit. Në këtë aktivitet merrnin pjesë zonja e parë
Teuta Topi, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, përfaqësues të komuniteve të
ndryshme fetare, artistë, poet, etj. Gonxhe Bojaxhiu (Nënë Tereza) lindi
më 26 gusht 1910 në Shkup nga prindër shqiptarë dhe një ditë më pas(27 gusht) u pagëzua
në Kishën e Zemrës së Mirë. Që në moshën 12 vjeç ajo kishte dëshirë të bëhej misionare
"për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit". Në moshën 18 vjeç, hyri
në Dublin në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, që punonte me kryeipeshkvinë
e Kalkutës. Ajo nuk mund të braktiste urdhrin pa pëlqimin e kryeipeshkvit të Kalkutës,
At Ferdinand Periers, i cili nuk e vlerësonte sa duhet. "Është një fillestare që nuk
do të ishte në gjendje të ndizte si duhet një qiri", mendohej të kishte thënë prelati.
Por Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo.
Dhe në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhri dhe nga Motra Agnes,
bëhet Nënë Tereza, për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset
në barakat e Kalkutës. Në vitin 1952, takimi me një grua të plagosur që po
jepte shpirt mbi një trotuar, me këmbët të brejtura nga minjtë, e bënë atë të ndërmerrte
një nga detyrat, për të cilat u admirua më shumë: kujdesin për njerëzit duke dhënë
shpirt. Duke kritikuar ashpër autoritetet e qytetit, ajo arriti të siguronte
një ndërtesë të shekullit të 19-të, pranë tempullit Kali, Perëndesha hindu e vdekjes.
Në këtë "pasqyrë" të Nirmal Hridaya, ajo priti njerëz që vuanin nga tuberkulozi, nga
dizenteria ose tetanozi dhe që nuk i pranonin spitalet. Për Nënë Terezën,
garantimi i "një fundi të denjë" për ata që kanë "jetuar si kafshë" ishte një detyrë.
Më pas, do të jetë Sichu Bhavan, ku u strehuan vazhdimisht qindra fëmijë. Ndihma për
leprozët do të vazhdonte dhe për këta "të varfër mes të varfërve", Nënë Tereza do
të hapte Shantinagar, më pas shumë vende të tjera për kurimin e leprozëve. Ajo u
vinte gjithashtu në ndihmë viktimave të SIDA-s dhe kishte hapur një qendër për ta
në Shtetet e Bashkuara. Kur i thoshin se do të shenjtërohej, ajo thoshte: "Në fillim
më lini të vdes.