2010-06-03 13:22:24

Çelësi i fjalëve të Kishës: korpi në vështrimin e krishterë


(03.06.2010 RV)Të dashur dëgjues, sot është festa e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit. Kisha i kthen sytë nga Eukaristia, nga buka e shenjtë, që na kujton Jezusin e veprën e Tij për shëlbimin e gjithë botës. Fjala që kemi marrë nga fjalori kishtar është pikërisht “korpi” (trupi). Do të shpjegojmë kuptimin e saj për të krishterët.

Në kulturën greke, shpirti e trupi janë dy gjëra krejtësisht të ndara e të dalluara mirë. Ata vendosen idealisht në dy pole të kundërta, që shtyhen, pavarësisht se janë të detyruar të rrinë bashkë. Ndërsa Bibla e konsideron njeriun si një të vetëm, në unitet, ku trupi, jeta, shpirti e ndërgjegjja bashkëjetojnë. Me të vërtetë, për semitët ne “jemi” një korp, sepse pikërisht me të e në të jetojmë dhe komunikojmë. Kurse, sipas mendimit perëndimor, ne “kemi” një korp, që e kontrollojmë, që e urrejmë, ose e kthejmë në idhull. Prandaj, kuptohet fare mirë se pse korpi është i rëndësishëm në faqet e Biblës.
Korpi është e njëjta gjë me personin e Bibla nuk ndalet vetëm tek mishi, shenjë dobësie, brishtësie e mjerimi, megjithëse edhe ky është një nga aspektet e korpit. Në Këngën e Këngëve nuk tregohet asnjëfarë turpi në kremtimin e bukurisë e të erosit të dy të dashuruarve (kap. 4;5;7). Prandaj, nuk duhet të na çudisë fakti, se që në Besëlidhjen e Vjetër, fati i fundmë i krijesës së shëlbuar është ngjallja e korpit (Ez 37 e Pashkët e Krishtit e të të krishterëve) e jo vetëm pavdekësia e shpirtit, siç mendonin grekët. Kjo ide ekzaltohet dhe merr formën më të lartë me Besëlidhjen e Re, ku, për shembull, aktiviteti publik i Krishtit nuk është vetëm predikimi, por edhe shërimi i të sëmurëve.
31% e Ungjillit sipas Markut përbëhet nga mrekullitë e Krishtit për të sëmurët. Kjo do të thotë se shërbimi i Jezusit mbi tokë është përqëndruar në një pjesë të madhe pikërisht mbi trupin e njeriut, në përpjekjen për ta ngritur në majat më të shkëlqyera. Por ka edhe më: Ai, përmes Eukaristisë, ofroi korpin e vet si ushqim, duke krijuar kështu një bashkim me besimtarët, që nuk është thjesht shpirtëror, por personal e material. Më vonë, Shën Pali Apostull do ta konceptojë Kishën si Korp i Krishtit të Ringjallur e do t’u bëjë këtë pyetje retorike korintianëve: “Nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt?” (1 Kor 6,19)
Pa dyshim, trupi ynë ka vulën e vdekjes dhe plagën e mëkatit e shën Pali përdor shprehjet “trup i vdekjes” e “trup i mëkatit”. Por me mishërimin e Birit të Zotit, edhe trupi ynë i vdekshëm e mëkatar varroset e pastaj, ringjallet ai që Apostulli e quan “trupi shpirtëror”, të cilit i jep frymë vetë Shpirti i Zotit: “Krishti…do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm” (Fil 3,21). Pra, feja e krishterë lidhet me trupin, si me atë mëkatar, ashtu edhe me trupin e shëlbuar. Vërtet, qëllimi ynë i fundmë, ringjallja e dëshiruar, është brenda nesh, pasi kemi etje për shëlbimin e plotë gjatë gjithë jetës. Është ajo “gulshitje e brendshme”, shprehja e pritjes që të adoptohemi si bij e “të shëlbohemi në trup” (Rom 8,23).
Megjithëse është e vështirë ta dimë me siguri se cili do të jetë fati i korpit tonë të lavdishëm në mbarimin e kohrave e në fillimin e një botë të re (lexo Shën Palin në kapitullin 15 të Letrës së Parë drejtuar Korintianëve), dimë se është i destinuar për lavdi. Prandaj, që tani, duhet të mendojmë për trupin si për tempullin e shenjtë të Hyjit e t’ia kushtojmë Atij, sepse korpi, shprehje e personit dhe e jetës së tij, është “fli e gjallë, e shenjtë dhe e pëlqyeshme për Zotin”, është “kulti ynë shpirtëror” (Rom 12,1). Madje, siç thamë edhe më parë, trupat tanë përbëjnë Korpin e Krishtit të Ringjallur, që vazhdon të jetë i pranishëm e veprues në kohë e hapësirë: “Tashti, ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej jush gjymtyrë e tija” (1 Kor 12,27).







All the contents on this site are copyrighted ©.