2010-06-03 17:36:13

Mbledhje urgjente e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë për sulmin izraelit mbi flotiljen e paqës drejtuar në Gazë.


(03.06.2010 RV)U zhvillua sot një mbledhje urgjente e Këshillit për të Drejtat e Njeriut për sulmin izraelit kundër anijeve të flotiljes humanitare në lundrim drejt Gazës. Në debat mori pjesë edhe kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë Shenjte pranë Zyrës së OKB-së në Gjenevë, ku u kërkua një hetim ndërkombëtar i paanshëm dhe transparent mbi sa ndodhi. Ta ndjekim në mikrofonin tonë:

Përgjigje: Fola duke ndjekur udhëzimin e shprehur nga Ati i Shenjtë se dhuna nuk sjell asnjë rezultat pozitiv. Sigurisht, duhet dënuar dhuna e këtij sulmi, mbi të gjitha sepse ndodhi në ujërat ndërkombëtare dhe të jep përshtypjen se rregullat humanitare dhe e drejta ndërkombëtare nuk kanë rëndësi. Ndërsa për marrëdhëniet e mira ndërmjet shteteve është e nevojshme që këto marrëveshje të respektohen. Pastaj, më duket se pasojat e këtyre lloj veprimesh janë shpesh të paparashikueshme, dhe në fakt, pati viktima, të vdekur. Solidariteti i të gjithëve është me familjet e këtyre viktimave. Njëkohësisht duhet thënë dhe pranuar se shteti i Izraelit ka të drejtë të jetojë dhe të mbrohet, por pikërisht, nëpërmjet dialogut mund të arrihet siguria që bazohet tek respektimi i së drejtës ndërkombëtare.

Pyetje: Imzot Tomazi, çfarë tregon ky episod i ri i dhunës?

Përgjigje: Është e dukshme, pas këtij incidenti, se politika për izolimin e Rripit të Gazës nuk mund të funksionojë, sepse, pikësëpari, i duhet dhënë një përgjigje pozitive të drejtave themelore për ushqim, ujë, barna dhe arsim të popullatës së Gazës. Incidentin e ditëve të kaluara duhet ta konsiderojmë si njërën nga shumë ngjarjet që janë në të njëjtën kohë shkak dhe përgjigje për paqëndrueshmërinë politike dhe ushtarake në Lindje të mesme. Pra, duhet që të gjithë të inkurajojmë bashkësinë ndërkombëtare dhe vendet e interesuara drejtëpërsëdrejti, të punojnë për një zgjidhje jetëgjatë që nuk mund të jetë tjetër, – kështu si janë punët sot për sot – përveç se ajo e një shteti palestinez dhe e një shteti izraelit të sigurtë, në mënyrë që këto vendeve të respektojnë rregullat e pavarësisë por edhe t’i hapin dyert bashkëpunimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.