Historia e kremtimit të Solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit.
(03.6.2010 RV)Solemniteti i Korpit e Gjakut të Shenjtnueshëm të Krishtit, i cili
para Mesharit të sotëm njihej me emrin latinisht "Corpus Domini", filloi të kremtohej
që më 1264 kur, duke pranuar devocionet eukaristike të lindura në shekujt XII e XIII,
për t'iu kundërvënë doktrinave heretike rreth pranisë së Krishtit në lëndët e shuguruara,
kjo festë u shtri në Kishën mbarë nga Papa Urbani IV përmes bulës Transiturus.
Qe pikërisht ky papë i cili e kremtoi personalisht festën e parë të Korpit të Krishtit
në Orvieto (Itali), në verën e të njëjtit vit, me solemnitet të madh. Në këtë kohë
ndodhi edhe mrekullia e Bolsenës në Lazio, ku një meshtar bohem, Pjetri nga Praga,
i cili kishte dyshime mbi praninë reale të Krishtit në Eukaristi, ndërsa kremtonte
Meshën, pa sesi nga hostja e shuguruar nisi të pikonte gjak. I njoftuar për faktin
e mrekullueshëm, Urbani IV ngarkoi ipeshkvin e Orvietos t'ia sillte linin shenjt të
përgjakur dhe shkoi personalisht ta merrte këtë dëshmi kaq tronditëse të pranisë së
Krishtit. Në Romë kremtimi filloi që nga njëmijë e katërqinda, në kohën e
papës Nikolla V, me Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran dhe procesionin
drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, që përshkohet nëpër rrugën Merulana qysh
nga viti i largët 1575. Që prej tre shekujsh, papët e ndryshëm që janë ulur në fronin
e shën Pjetrit, kanë vijuar, me pak ndërprerje, të ndjekin të njëjtën rrugë, duke
mbledhur miliona besimtarë rreth Eukaristisë, burim i bashkimit e ushqim kryesor për
jetën e të pagëzuarve. Secili besimtar ftohet në këtë solemnitet të ulet
rreth sofrës Eukaristike, ku ka vend për të gjithë njerëzit pa përjashtim e pa dallim,
e të shijojë më mirë Praninë e Krishtit, që kremtohet çdo ditë e çdo vit.