2010-06-02 17:58:34

Shën Toma i Akuinit, në qendër të katekizmit të Benediktit XVI, në përfundim të të cilit, thirrja për paqen në Gazë.


(02.06.2010 RV)“Nuk duhet përdorur dhuna, që shkakton dhunë tjetër, por aftësia për të kërkuar rrugëzgjidhje të drejta, përmes dialogut”. Benedikti XVI e përfundoi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, me një thirrje, thellësisht i shqetësuar për situatën e rëndë të këtyre ditëve në Rripin e Gazës. Katekizmin ia kushtoi teologut të madh të njëmijë e dyqindës, Shën Tomës së Akuinit, që dëshmoi me vepra – shpjegoi Papa - se ndërmjet fesë së krishterë e arsyes ka harmoni të natyrshme. Më pas Benedikti XVI kujtoi se nesër pasdite do të kryesojë Meshën dhe procesionin tradicional, në solemnitetin e “Corpus Domini” – “Korpit të Krishtit”.
Në përfundim të audiencës, Papa iu lut Krishtit t’i ndihmojë të gjithë njerëzit, që punojnë për pajtimin e paqen. E duke vijuar thirrjen me kontrastin ndërmjet atyre, që mbjellin urrejtje e atyre që punojnë për lulëzimin e pajtimit e të paqes, Benedikti XVI theksoi se është thellësisht i shqetësuar për krizën e re në Gazë, pas sulmit izraelit kundër “Freedom Flotilla” e se, ashtu si bashkësia ndërkombëtare, e dënon këtë akt të ri dhune. Duke pohuar se i ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit tragjike e duke shprehur ngushëllimin për viktimat, Papa ngriti zërin me forcë:RealAudioMP3
“Përsëris edhe një herë, me shpirt thellësisht të trazuar, se dhuna nuk u jep fund grindjeve, por i thellon pasojat e tyre dramatike e lind dhunë të re. U bëj thirrje – vijoi Papa - të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi politike në nivel lokal e ndërkombëtar, të punojnë për të gjetur rrugëzgjidhje të drejta, përmes dialogut, në mënyrë që popullsitë e zonës të mund të jetojnë në kushte më të mira, në harmoni e në paqe”.
Në çastet e katekizmit, Benedikti XVI foli përsëri për mendimtarët e krishterë të Mesjetës, duke e hapur faqen tek një nga figurat më të shquara, që pati një ndikim të jashtëzakonshëm mbi historinë e Kishës: Shën Toma i Akuinit. Për të theksuar rëndësinë e Shenjtit, Papa kujtoi një të dhënë, që flet vetë: Toma citohet 61 herë në Katekizmin e Kishës Katolike, duke u radhitur, kështu, i dyti, pas Shën Agostinit.

Gjatë katekizmit, pasi kujtoi çastet kryesore të jetës së Shenjtit, ndërmjet të cilave, zgjedhja e rrugës rregulltare domenikane, Papa shpjegoi se Toma, që i ri, u shqua për shpjegimin e filozofisë aristotelike. Kompleksi universal i njohurive të tij, një herë i panjohur e më pas i zbuluar, u pranua me entuziazëm e pa kritikë nga disa, por edhe u kundërshtua fuqimisht nga të tjerë, që druheshin se ishte në kundërshtim me fenë katolike:
“Toma i Akuinit, sipas shkollës së Albertit të Madh, kreu një veprimtari me rëndësi themelore për historinë e filozofisë e të teologjisë, madje mund të themi edhe për historinë e kulturës: studioi me fund Aristotelin dhe komentuesit e tij (…) duke dalluar ç’ishte me vlerë, nga ajo që ishte e dyshimtë, ose për t’u refuzuar plotësisht, duke treguar përkimet me të dhënat e Zbulesës së krishterë e duke përdorur gjërësisht e thellësisht mendimin aristotelik në shkrimet e tij teologjike. Si përfundim, Toma i Akuinit tregoi se ndërmjet fesë së krishterë e arsyes ekziston një harmoni e natyrshme”.
Në atmosferën e këtij debati kulturor, më i ndezuri i kohës, Toma u bë i njohur, falë dhantive të tij të shkëlqyera intelektuale, që e bënë njëkohësisht – shpjegoi Papa – një nga profesorët më të ndjekur në Paris; një nga dijetarët më të admiruar, deri nga kundërshtarët akademikë e, sidomos, një nga teologët më prodhimtarë. Prodhimi i tij letrar është vërtet i mrekullueshëm – komentoi Papa – siç e dëshmon vepra e fuqishme “Summa Theologiae” (Përmbledhje e teologjisë) që e bëri të pavdekshëm. E këtu Papa vërejti se, në kompozimin e shkrimeve të tij, Akuinasi ndihmohej nga disa sekretarë, ndërmjet të cilëve, Rexhinaldi i Pipernos, miku i tij i madh:
“E kjo është edhe karakteristika e shenjtorëve: lidhin miqësi, sepse është një nga shprehjet më fisnike të zemrës njerëzore e ka në vetvete diçka hyjnore, siç e shpjegon vetë Toma në disa quaestiones të “Përmbledhjes së teologjisë”, në të cilat vlerëson lart: “Dashurinë e krishterë e miqësinë e njeriut, me Zotin në radhë të parë, e më pas edhe me qeniet që i përkasin Atij”.
Në përfundim – nënvizoi Papa - mund të themi se ishte mjeshtër i mendimit e model i mënyrës më të drejtë për të bërë teologji: ky është për Kishën Shën Toma, siç shkroi Gjon Pali II në “Fides ed ratio”. Por njëkohësisht ai qe i aftë edhe të fliste në mënyrë të thjeshtë e të kuptueshme, kur i drejtohej popullit, që ngarendte me kënaqësi për ta dëgjuar. Rrethanë kjo, që e shtyu Papën të bënte një nënvizim tejet të ndjerë:
Është vërtet një hir i madh, kur teologët dinë t’u flasin besimtarëve me thjeshtësi e frymëzim. Detyra e predikimit, nga ana tjetër, i ndihmon studiuesit e teologjisë për një realizëm të drejtë baritor dhe e pasuron kërkimin e tyre me stimuj të mprehtë ”.
Në përfundim të katekizmit, Benedikti XVI kujtoi disa takime kishtare me rëndësi të veçantë, duke nisur nga Solemniteti i Corpus Domini, që do të kremtohet nesër, në orën 19.00, me Meshën Shenjte, që Papa do ta kryesojë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, për të vijuar me procesionin deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.
Pak para këtij njoftimi, Ati i Shenjtë kishte kujtuar edhe se Shën Toma u ngarkua nga Papa Urbani IV me detyrën që të shkruante tekstet liturgjike për festën e Corpus Domini, themeluar pak pas mrekullisë eukaristike të Bolsenës:
"Toma pati një shpirt thellësisht eukaristik. Himnet e mrekullueshme, që Kisha i këndon për të kremtuar misterin dhe praninë reale të Korpit e të Gjakut të Krishtit në Eukaristi, buruan nga feja e tij e nga dija e tij teologjike”.
Më pas, edhe ftesa për të përtërirë dialogun ekumenik, duke punuar me përvujtëri e duresë, drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën, që vijon në Edimburg, organizuar me rastin e 100 vjetorit të takimit të parë ndërmjet konfesioneve të krishtera, që i dha shtytjen kryesore lëvizjes moderne ekumenike.
E, një përshëndetje në formë videomesazhi, iu kushtua pjesëmarrësve në “Chatholic Media Convention” të Nju Orleansit, që po shkëmbejnë mendime mbi temën e rëndësishme të ugjillëzimit në epokën dixhitale. Duke ripohuar pushtetin e jashtëzakonshëm që kanë mbi njerëzit mjetet e reja të komunikimit për të përhapur mesazhin e Krishtit e mësimin e Kishës së tij, Benedikti XVI përfundoi me këto fjalë:
If your mission is to be truly effective…
“Në se misioni juaj është të jeni vërtetë efikasë; në se fjalët që kumtoni kanë për qëllim të prekin zemrat, të nxisin për të ndërruar rrugën e jetës – duhet të bashkëpunoni me njerëzit dhe bashkësitë, që e dëshmojnë hirin e Hyjit përmes fesë e jetës së tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.