2010-06-01 17:54:11

Shtegtimi i shqiptarëve pranë Shenjtnores së Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan.


(01.06.2010 RV)Si çdo vit tashmë edhe kësaj radhe, në përfundim të muajit të Zojës, shqiptarët erdhën të shumtë në Shenjtnoren e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan, afër Romës, më 30 maj. Ishin më shumë se 600 vetë që vinin nga zona të ndryshme të Italisë, përveç 50 shtegtarëve që me autobus, erdhën posaçërisht nga Shkodra për të kremtuar, për t’u lutur dhe për të festuar së bashku në festën organizuar nga “Migrantes” i Konferencës Ipeshkvnore Italiane në shenjtëroren e Virgjërës, Pajtores së Shqipërisë. Porsa mbërritën në Shenjtërore, shtegtarët u organizuan për një procesion nëpër rrugët e qytetit duke i kënduar Virgjërës himne tradicionale shkodrane, qytet prej nga ka ardhur mrekullisht figurja e Zojës së Këshillit të Mirë. Grupet më të mëdha në numër të shtegtarëve ishin ato të Firences, Pratos, Pistojës, Rexho Emilias, Torinos, Astit, Avecanos dhe Ferrarës. Pjesa tjetër vinin nga Roma dhe rrethinat.
Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe, në shtegtim mori pjesë edhe një grup nga Shkodra, ku bënte pjesë edhe kryetari i bashkisë, z. Lorenc Luka, nën udhëheqjen e dom Gjovalin Sukajt, rektor i Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë, në Shkodër.

Shtegtimi qe një rast i mrekullueshëm për t’u lutur dhe për takuar me të afërm, miq e dashamirë që jetojnë e punojnë në Itali dhe ata që gjenden në Shqipëri. Pikërisht si shenjë e Shqipërisë që po përtërihet, Meshën e kryesoi Dom Tomë Mihaj, meshtar i ri, së bashku me pesë meshtarë të tjerë të rinj shqiptarë. Në homelinë e vet Dom Toma, nënvizoi pikërisht faktin se pas 50 vjetësh regjimi ateist Kisha në Shqipëri po ringjallet dhe se feja në Shqipëri u mbrojt me gjakun e martirëve. “Këtë fe të trashiguar, ne sot po e pohojmë përpara Nënës sonë të Këshillit të Mirë.” shtoi Dom Toma. Në mbyllje, u recituan edhe dy poezi kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë shkruar nga poetë shkodranë.
Më pas festa vazhdoi me drekën nën hijen e pishave të kopshtit komunal, shoqëruar nga tingujt e gëzueshëm të këngëve e të valleve shqiptare, që tregon qartë se pas vështirësive të fillimit të viteve ’90, shqiptarëve po integrohen dhe kanë nevojë të ndjehen të bashkuar, si popull por edhe si bashkësi në Itali.







All the contents on this site are copyrighted ©.