2010-06-01 17:10:44

Në Sallën e Shtypit të Vatikanit u paraqit sot programi i udhëtimit apostolik të Papës në Qipro, nga 4-6 qershor.


(01.06.2010 RV)RealAudioMP3 Në Qipro po pritet me padurim mbërritja e Benediktit XVI që do të qëndrojë në ishullin e vogël mesdhetar tri ditë, nga data 4 deri të dielën më 6 qershor, ditë kulmore e udhëtimit apostolik, kur Papa Racinger do t’i dorëzojë publikisht “Instrumentum Laboris” Asamblesë së Posaçme për Lindjen e Mesme të Sinodit të ipeshkvijve, parashikuar për në tetor. Pikërisht mbi këtë foli me gazetarët sot paradite, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi.
Për herë të parë në histori, një papë shkon në Qipro, kujtoi Atë Lombardi duke nënvizuar se ky ishull ka qenë edhe etapa e parë e udhëtimit apostolik të Shën Palit. Për Benediktin XVI, përkundrazi, bëhet fjalë për vendin e 19-të që viziton, në kuadër të udhëtimit të tij të 16-të apostolik. “Ju duam pranë nesh...” i pati thënë Papës Racinger, kryepeshkopi i Qipros, Hirësia e tij Krizostomi, kur e takoi në Vatikan, në qershor të 2007. Dhe më në fund, çasti erdhi, me ftesë të autoriteteve shtetërore dhe natyrisht të Kishës katolike të pakicës së vogël si edhe me atë të kishës ortodokse. “Këto tri ditë do të jenë të dendura në takime me personalitete fetare dhe civile në një klimë që duket shumë e përzemërt, përshkuar nga tema e paqës dhe e ekumenizmit.” tha për shtypin Atë Lombardi.

“Si themel do të shërbejnë, natyrisht, marrëdhëniet me vendin, me bashkësinë qipriote, që është e rëndësishme, po të kemi parasysh gjendjen aty. Në fakt një simbol i vogël do të shoqërojë, qoftë ceremoninë e mbërritjes, qoftë atë të nisjes: bekimi i një peme ulliri. Pra, është e qartë se mesazhi do të jetë ai i paqës. Përsa i përket pjesës me karakter baritor, po kujtoj këtu aspekin paulin që na sjell ndër mend edhe vizitën në Maltë të këtij viti, dhe aspektin ekumenik, në veçanti, marrëdhëniet me ortodoksët, vizita në bashkësinë katolike që është shumëritualëshe dhe pastaj dorëzimi, të dielën, i Instrumentum laboris i Sinodit, që siç e dimë, është një nga çastet më të rëndësishme të këtij udhëtimi.”
Pastaj vizita do të kulmojë me Meshën e së dielës në festën e Korpit të Krishtit, që do të kremtohet në Pallatin e Sportit Elefteria të kryeqytetit Nikozia. Papa do të kryesojë Meshën me rastin e publikimit të Instrumentum Laboris të Sinodit të ardhshëm të Lindjes së Mesme, që do t’i dorëzohet në katër gjuhë (anglisht, frëngjisht, italisht dhe arabisht) Këshillit Parasinodal, përbërë nga shtatë patrikë të Lindjes së Mesme dhe nga tre të dikastereve vatikanase: për Bashkimin e të krishterëve, për Kishat lindore dhe për Dialogun ndërfetar.
Më pas, Atë Lombardi, sipas kërkesës të gazetarëve, sqaroi se nuk do të ketë ndryshime të programit të Papës në Qipro si pasojë e sulmit izraelit mbi anijet e flotiljes së paqës drejtuar për në Gazë. “Një ngjarje shumë e trishtueshme dhe shqetësuese.” e cilësoi Atë Lombardi ndërhyrjen djeshme të ushtarëve izraelitë në ujrat ndërkombëtare. Përsa i përket qëndrimit të Papës, Ati i Shenjtë do të rrijë në nunciaturën e Nikozisë, në zonën e gjelbër, që gjendet nën kontrollin e OKB-së, në mes të Republikës greko-qipriote dhe territoreve të pushtuara në veri nga trupat turke në vitin 1974. Kjo është një e treta e krejt ishullit, që nuk është njohur kurrë nga bashkësia ndërkombëtare. Një situatë e ndërlikuar që ndikon ndjeshëm në jetën e ishullit dhe të krejt popullatës së tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.