2010-06-01 17:10:17

Kryeipeshkvi i Dublinit Diarmuid Martin shpreh kënaqësinë e tij për emërimin e vizitatorëve apostolikë për shkandullin e pedofilisë në Kishën irlandeze.


(01.06.2010 RV)“Një hap i rëndësishëm” në procesin e nisur nga Benedikti XVI për të ndihmuar “përtëritjen e Kishës në Irlandë”. Me këto fjalë kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin, përshëndeti lajmin e Sallës së Shtypit të Vatikanit për nisjen në vjeshtën e ardhshme të Vizitës apostolike në Irlandë për të hetuar mbi shkandullin e pedofilisë në Kishë.
Kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin, e komentoi me kënaqësi të veçantë lajmin se vizita do të shërbejë për të verifikuar cilësinë e ndihmës që i jep Kisha irlandeze viktimave të abuzimeve. Prelati shprehu gjithashtu vlerësim të veçantë për zgjedhjen e kardinalit Shon O’Malej, kryeipeshkëv i Bostonit. “Përvoja dhe impenjimi i tij baritor” në këtë fushë, e bëjnë “personin më të përshtatshëm për t’i sjellë besimtarëve dhe klerit të kryedioqezës së Dublinit solidaritetin e Kishës”. tha imzot Martin. Nga e vet, imzot O’Malej në një deklaratë tha se “Kisha duhet të jetë e palodhshme, “vigjilente në mbrojtjen e fëmijve dhe të rinjëve”, duke nënvizuar se “impenjimi i vazhdueshëm në kryedioqezën e Bostonit për t’i garantuar” sigurinë të vegjëlve do të “ndihmojë në këtë vizitë”.

Në të njëjtën kohë shtoi imzot O’Malej “do t’i jepet rëndësi sqarimit dhe përgjigjeve që duhet t’i jepen shqetësimeve të bashkësisë katolike dhe të viktimave të abuzimeve në mënyrë që të nxitet shërimi i këtyre plagëve”. Në deklaratën e vet kardinali Shon O’Malej kujtoi se në letrën e Benediktit XVI drejtuar katolikëve të Irlandës, është e pranishme “ndihma baritore dhe përkujdesi për të gjithë ata që kanë vuajtur për shkak të abuzimeve të kryera nga disa klerikë dhe rregulltarë me fëmijë.” Kryeipeshkvi i Bostonit përfundoi me fjalët se deklarata e tij vë në pah vlerën që ka urata për “një Kishë të dlirur nëpërmjet pendesës dhe të përtërirë në dashurinë baritore”.

Mirënjohje ndaj Atit të Shenjtë për emërimin e vet shprehu edhe imzot Timoti Dolan, kryeipeshkëv i Nju Jorkut, caktuar për bashkërendimin e vizitave nëpër seminaret e Irlandës dhe të Kolegjit Papnor Irlandez në Romë. Ndër vizitatorët e tjerë të emëruar nga Papa janë: kardinali anglez Kormak Marfi O’Konor, kryeipeshkëv nderi i Uestminsterit, për dioqezën e Armag; Imzot Tomas Kristofer Kolins, kryeipeshkëv i Torontos, për kryedioqezën e Keishel dhe Imzot Terens Tomas Prendergast, kryeipeshkëv i Otavës, për kryedioqezën e Tuam.







All the contents on this site are copyrighted ©.