2010-05-31 18:14:35

U lartua në nderimet e elterit në Romë, e Lumja Pierina De Mikeli, mësuese e lutjes dhe e veprimtarisë për shenjtërinë e meshtarëve dhe të rinjve.


(31.05.2010 RV)Një grua e paharrueshme, Pierina De Mikeli, Nënë eprore e Institutit të Bijave të Zojës së Papërlyer të Buenos Ajres. Më parë në Argjentinë, në Milano e në Romë më pas, ajo e shkriu gjithnjë jetën për edukimin e shkollimin e të rinjve.
Në homelinë e Meshës, kremtuar në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, imzot Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që kryesoi Eukaristinë, nënvizoi tri karakteristikat kryesore të shenjtërisë, të cilat Papa Benedikti XVI i vë vazhdimisht në dukje: përshpirtërinë mariane, devocionin për Fytyrën e Shenjtë të Jezusit të Kryqëzuar dhe dhurimin e jetës, kaluar në lutje e në vuajtje, për shenjtërimin e meshtarëve.
Edhe Benedikti XVI – siç kujtuam më lart, foli për Rregulltaren e Lume, në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot.
Ja edhe fjalët, që i kushtoi Papa:RealAudioMP3 “Sot, në Romë, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, u kremtua lumnimi i Maria Pierina De Mikeli-t, rregulltare e Institutit të Bijave të Zojës së Papërlyer të Buenos Ajres. Gjyzepina – ky ishte emri i saj i pagëzimit - lindi në Milano, në një familje thellësisht fetare, në gjirin e së cilës lulëzuan thirrje të shumta për meshtari e jetë të përkushtuar. Sapo i kishte mbushur 23 vjetët, edhe ajo nisi rrugën e jetës rregulltare, duke iu kushtuar me pasion shërbimit edukativ, në Argjentinë e në Itali. Zoti i dhuroi një devocion të jashtëzakonshëm për Fytyrën e Tij Shenjte, nuk e lëshoi dore në prova, as në sëmundje. Vdiq në vitin 1945. Trupi i saj pushon në paqe në Romë, pranë Institutit të Shpirtit Shenjt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.