2010-05-31 18:21:14

Sot, në festën e Pasisë së Zojës, Maria na mahnit përsëri.


(31.05.2010 RV)Kur Engjëlli u largua prej saj, pasi i kishte kumtuar lajmin e madh të Mishërimit e kishte marrë pohimin e saj, Maria e dinte se kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, se kishte filluar kapitulli i fundit i historisë së shëlbimit të botës. E megjithatë gjithçka rreth saj kishte mbetur fare e pandryshuar e fshati i humbur i Nazaretit nuk e dinte fare se ç’i kishte ndodhur vajzës së panjohur, e cila do të bëhej më e njohura mbi të gjitha gratë, që kanë ecur në shtigjet e kësaj bote.
E Maria, pa menduar fare për vetveten, u vu me ngut për udhë, për të arritur në shtëpinë e së kushërirës, ku ndodhi një ngjarje që asnjë piktor nuk mund ta realizojë me gjithë bukurinë e thellësinë e saj të pakapshme, sepse të dyja gratë ishin rrethuar nga drita e Shpirtit Shenjt. E Elizabeta, e ndriçuar nga Lart, brohoret fjalët, që më pas do të shqiptohen në shekuj në të gjitha gjuhët e botës: “Bekuar je mbi të gjitha gratë, e i bekuar, fryti i kraharorit tënd! Nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim? Ja se, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje, kërceu në kraharorin tim. E lumja ti, që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit”. Këto fjalë mund të na duken të tepruara në rrethanat e sotme. Elizabeta ishte një grua në moshë e Maria, një vajzë e panjohur prej një fshati të humbur të Galilesë. Ç’mund të bënin, në një botë ku vlerësohen njerëz të tjerë e peshojnë pushtete të tjera? Gjithsesi Maria, në Pasinë e Saj, na mahnit përsëri: zemra e saj është e kulluar, krejtësisht e hapur për dritën e Hyjit; shpirti i saj është pa mëkat, mbi të nuk peshojnë mburrja e egoizmi. Prandaj i buçet nga zemra kënga e lavdërimit, lexim i vërtetë dhe i thellë i gjithë historisë së njerëzimit: “Shpirti im madhëron Zotin”. Maria pranon madhështinë e Hyjit. E kjo është ndjenja e parë dhe e domosdoshme e fesë. Ndjenjë që i jep siguri, e çliron nga frika dhe e bën ta shikojë me sytë e fesë veprën e Zotit në histori. Prandaj është e lume, sepse e pranoi Fjalën e Zotit, që u mishërua në kraharor të saj. Feja e saj e bëri të shikonte se fronet e njerëzve të pushtetshëm në këtë botë janë të përkohshme, ndërsa froni i Hyjit është i vetmi shkëmb që nuk lëkundet as nuk shembet në jetë të jetëve. E kështu himni i Marisë ‘Magnificat’ mbetet në shekuj shpjegimi më i vërtetë e më i thellë i historisë.
Ta jetojmë ditën e fundit të majit, kushtuar Pasisë së Zojës me ‘Magnificat’ në zemër, t’i ngjasim Asaj, duke qenë gjithnjë të gatshëm për t’i ndihmuar vëllezërit, që të mundemi kështu, t’i lartojmë edhe ne Hyjit këngën e gëzimit e të mirënjohjes pa kufi.







All the contents on this site are copyrighted ©.